Serbia drejt grevës së përgjithshme

Serbia drejt grevës së përgjithshme

Serbia shkon drejt grevës së përgjithshme si pasojë e pakënaqësisë me pushtetin e Presidentit Aleksandar Vuçiq. Protesta po përfshin grupe të ndryshme të shoqërisë, të cilat po i bashkohen studentëve në kërkesat e tyre për ndjekjen penale të përgjegjësve për tragjedinë në Novi Sad.

Në Serbi, për më shumë se dy muaj zhvillohen protesta, bllokada dhe shprehet pakënaqësi ndaj pushtetit. Shumë shkolla vazhdojnë të mos punojnë, ndërsa studentët kanë bllokuar universitetet. Punëtorë nga sektorë të ndryshëm kanë shprehur mbështetje.

Edhe pse kërkesa specifike është që të hidhet dritë mbi rrethanat që çuan në tragjedinë në Novi Sad, thelbi mbetet dëshira e qytetarëve për të përmirësuar sundimin e ligjit, demokracinë dhe ndalimin e korrupsionit sistematik.

Avokati Alleksandar Zhivkoviq tha se protesta e studentëve përfaqëson energjinë kryesore për ndryshim, ndërsa ka theksuar kolapsin e sistemit gjyqësor.

“Këto janë kërkesa demokratike ekzistenciale. Ne kemi arritur në një pikë ku kjo gjendje nuk mund të tolerohet më. Sistemi i drejtësisë në Serbi është ndër më të dobëtit në Evropë, joefikas dhe i ndikuar ndjeshëm nga pushteti. Ndryshimet duhet të jenë sistematike. Për sa kohë që levat e diktaturës dhe shkeljet e institucioneve demokratike mbeten, përparimi është i pamundur.”

Pakënaqësia po shtohet çdo ditë. Në Serbi paralajmërohet një grevë e përgjithshme njëditore më 24 janar, si pasojë e kërkesave të paplotësuara të studentëve, dobësimit të shtetit ligjor dhe joefikasitetit të institucioneve.

Gjithashtu, ka presion nga pushteti për ata që janë deklaruar për grevë. Me thirrjen e studentëve, grevës i janë bashkuar organizatat joqeveritare, muzetë, bibliotekat, media, restorantet, kafenetë, shoqatat, një pjesë e opozitës dhe të tjerë.

Presidenti Vuçiq e quajti grevën një “spektakël mediatik”, duke thënë se institucionet, si policia, ushtria dhe shërbimet publike, do të funksionojnë të papenguara. Nga ana tjetër, ekspertët paralajmërojnë se Serbia po i afrohet kulminacionit të pakënaqësisë.

Profesori i Fakultetit Juridik të Universitetit të Beogradit, Miodrag Jovanoviq, thekson se një kryengritje e tillë dërgon një mesazh të qartë për autoritetet që refuzojnë t’u përgjigjen kërkesave.

“Besoj se profesionet dhe pjesë të ndryshme të pakënaqura të shoqërisë do të veprojnë në mënyrë të ngjashme, me greva dhe protesta. Kjo përfundimisht do të çojë në paralizë të vendit, sepse duket se është e vetmja mënyrë që qeveria të marrë një mesazh të qartë për legjitimitetin e saj.”

Ndërkohë, ndërsa një pjesë e shoqërisë bën thirrje për mosbindje qytetare, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Partia Progresive Serbe në pushtet po organizojnë një kundër-tubim në Jagodinë në të njëjtën ditë, më 24 janar, duke mbledhur simpatizues nga qytete të ndryshme.

Opozita e kritikon këtë, duke e cilësuar si një përpjekje të Vuçiqit për të promovuar vetveten në vend që të adresojë pakënaqësit në rritje dhe kërkesat për ndryshim. /rtk/

Share This