Selmanaj, Kurtit: Nga pozita e kryeministrit, po turpërohesh për qëndrimet e dikurshme

Selmanaj, Kurtit: Nga pozita e kryeministrit, po turpërohesh për qëndrimet e dikurshme

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka reaguar ndaj opinionit të kryeministrit Albin Kurti, të botuar në prestigjiozen amerikane, “The New York Times”.

Selmanaj, ka thënë se në të kaluarën ndërkombëtarët ishin armiqtë më të mëdhenj për Kurtin.

“A mund të besoni që personi që e ka shkruar këtë opinion, disa vite më parë kur ishte në opozitë dhe për të armik më i madh ishte bashkësia ndërkombëtare se sa Serbia, i njëjti Albin kishte thënë si më poshtë”.

Sipas tij, kreu i ekzekutivit tashmë është i turpëruar nga deklaratat që ka dhënë në të kalurën.

“Edhe pse tani nga kolltuku i Kryeministrit ka filluar të ju vijë turp për qëndrimet e tij dhe tashmë ato komunikata i keni fshirë nga interneti, ato njolla nuk mund t’i fshini nga fytyra juaj”.

Selmanaj, radhiti edhe deklaratat e Kurtit në vitin 2010.

“Albin Kurti 2010: “Noam Chomsky ka të drejtë kur thotë se në rast të paraqitjes së krizës humanitare, bota e jashtme ka tri mundësi: të veprojë për ta rënduar katastrofën; të mos veprojë fare; dhe të veprojë për ta zbutur katastrofën; Kosova i takon kategorisë së parë”.

“Albin Kurti 2010: “Përderisa NATO zhvillon luftën e vet komode nga ajri, civilët shqiptarë janë lënë në mëshirën e forcave ushtarake dhe paramilitare serbe atje poshtë në terren”.

“Albin Kurti 2010: “Nuk ka pasur autorizim të OKB-së për bombardimet e NATO-s, edhe pse disa konsiderojnë se me aprovimin e Rezolutës 1244 realisht miratohen bombardimet e NATO-s”.

Në opinionin e titulluar “Mos dyshoni në NATO. Ajo i shpëtoi njerëzit e mi”, Kurti shtjellon fuqinë që Aleanca Veri – Atlantike e ka në Kosovë, në kontekstin se pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, shumë shtete evropiane janë të shqetësuar se angazhimi amerikan ndaj aleancës do të zbehet.

“Në vitin 1999, një fushatë e pamëshirshme serbe e udhëhequr nga lideri serb dhe presidenti jugosllav Slobodan Millosheviç solli masakra, përdhunime dhe dëbimin e rreth gjysmës së popullsisë shumicë shqiptare të Kosovës. Ishte një fatkeqësi humanitare. Bombardimet e vazhdueshme ajrore të NATO-s ndaj forcave dhe pozicioneve serbe i dhanë fund tmerrit. Aleanca dërgoi gati 50 mijë trupa menjëherë më pas”, shkruan Kurti duke dhënë një kontekst historik.

NATO, shkruan Kurti, ndihmoi në çlirimin e Kosovës dhe ruajti paqen, ndërsa kosovarët “ndërtuan demokracinë për të nxitur këtë paqe nga brenda”.

“Nuk kishte dyshime për ne, duke pasur parasysh kujtimet e freskëta të gjenocidit në Ruandë dhe Bosnje, se situata në Kosovë do të ishte përkeqësuar me shpejtësi pa NATO-n. Si kosovar, është e dhimbshme edhe të imagjinosh se sa më keq mund të ishte bërë”, shton Kurti.

NATO, në vlerësimin e Kurtit, nuk është një entitet abstrakt që vepron më vete, ajo, sipas tij, kërkon vullnet politik. /ballkani.info/

Share This