Selimi: Pa Adem Jasharin, nuk do të kishte UÇK

Selimi: Pa Adem Jasharin, nuk do të kishte UÇK

“Adem Jashari ka qenë kryesori në UÇK, pa Adem Jasharin as UÇK nuk do të kishte”, tha gjatë dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, Sylejman Selimi.

Ai tha se Adem Jashari nuk ka marr urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

“Nuk ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm, por ka dhënë urdhra ose është konsultuar me Shtabin e Përgjithshëm, me njerëzit që i ka njohur”, vijoi tutje dëshminë ai.

Ai tha se Adem Jashari ka mundur të jap urdhra, e jo të marr urdhra nga dikush tjetër.

“Ka mund të jep urdhra, Adem Jashari nuk ka mund të marr urdhra nga dikush tjetër. Adem Jashari ka qenë komandant kryesor. Pa Adem Jasharin as UÇK s’do kishte pasur”, tha ai.

Gjyqtari i tha dëshmitarit se javën e kaluar ka thënë për ZPS-në se Adem Jashari ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm. Madje,  dëshmitarit iu prezantua edhe një deklaratë që e kishte dhënë lidhur me këtë çështje për  Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

“Çdo gjë që  është bërë është bërë me plan të Shtabit të Përgjithshëm… Njëkohësisht edhe në zonat tjera kanë vepruar me të njëjtin plan nga Shtabin e Përgjithshëm. Çdo gjë ka qenë e organizuar nga Shtabi i Përgjithshëm”, kishte thënë dëshmitari për TPNJ-në.

Selimi ka insistuar në përgjigjen e tij.

“Çdo herë mund të them që kryesori në UÇK ka qenë Adem Jashari. Unë e kam shpjeguar si është organizuar Shtabi Përgjithshëm nga mendimi im, por duke ditur se unë nuk kam qenë anëtar i Shtabit, unë i kam dhënë ato mendimet e mija”, tha Selimi. /rtk/

Share This