
Sekuestrohet heroinë me vlerë rreth 12 mijë euro në Prishtinë
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Prishtinë, nën dyshimin për posedim dhe shpërndarje të substancave narkotike, konkretisht heroinë. Policia ka njoftuar se gjatë operacionit janë sekuestruar mbi 645 gram heroinë me një vlerë të përafërt prej 12 mijë eurosh.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit fillestar tek njëri nga të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një sasi e vogël e substancës së dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë rreth 0.2 gram. Po ashtu, janë konfiskuar një telefon, një palë çelësa të banesës dhe para të gatshme në valuta të ndryshme në vlerë rreth 825 euro.
Ndërkohë, policia ka theksuae se tek i dyshuari i dytë janë gjetur dhe sekuestruar dy qese të vogla me substancë të dyshuar heroinë, me peshë totale prej 2.1 gram.
“Në konsultim me prokurorin kompetent është bërë bastisja e banesës së njërës prej palëve të dyshuara, ku janë zbuluar gjashtë qese najloni të mbushura me heroinë, me peshë të përgjithshme prej rreth 643.7 gram, si dhe dy peshore digjitale të dyshuara për përdorim në shpërndarje. Të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, njofton policia, raporton rtk.