Sekretet e një ushqyerje të shëndetshme në verë, çfarë duhet të konsumojmë dhe të shmangim me rritjen e temperaturave

Sekretet e një ushqyerje të shëndetshme në verë, çfarë duhet të konsumojmë dhe të shmangim me rritjen e temperaturave

Sezoni veror sjell jo vetëm temperatura të larta dhe ndryshim të stilit të jetesës, por edhe nevojën për të rishikuar mënyrën e ushqyerjes. Në këtë stinë, organizmi ka nevojë për më shumë kujdes, veçanërisht për të shmangur dehidratimin dhe problemet me tretjen.

Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, nutricionistja Gerta Veliu theksoi rëndësinë e një ushqyerje të lehtë dhe të freskët gjatë muajve të nxehtë.

“Ashtu si vishemi më lehtë, duhet edhe të hamë më lehtë që të mos rëndojmë organizmin,” tha ajo, ndërsa rekomandon uljen e kalorive ditore dhe shmangien e ushqimeve të yndyrshme, pikante, të skuqura apo të përpunuara, të cilat jo vetëm vështirësojnë tretjen, por rrisin temperaturën e trupit dhe përmbajtjen e toksinave.

“Duhet të ulim dozën e kalorike dhe të hamë ushqime sa më të freskëta, sa më hidratuese dhe fruta dhe perime. Nuk duhet të konsumojmë në ditë të nxehta ushqime që rëndojnë organizmin siç janë ushqimet pikante, me yndyrë të shtuar, ushqimet e skuqura, fast food, salcat e ndryshëm dhe ushqimet e ambalazhuara, pasi rrisin më shumë temperaturën e trupit dhe ndikojnë në tretje të keqe duke shkaktuar fryrje dhe djegie të stomakut, rrisin toksinat dhe bakteret në trup. Këto ushqime duhet t’i zëvendësojmë me ushqimet sezonale, pasi kanë vitaminat dhe mineralet që na sigurojnë hidratimin dhe mbrojtjen në këtë kohë”, tha Veliu.

Sipas nutricionistes duhen konsumuar sa më shumë ushqime sezonale të pasura me vitamina dhe minerale që ndihmojnë në hidratim dhe përforcojnë sistemin imunitar. Frutat dhe perimet sezonale si dhe ushqimet e pasura me vitaminë A dhe C janë thelbësore për të ruajtur energjinë dhe për të mbrojtur qelizat nga dëmtimet e shkaktuara nga nxehtësia dhe dielli.

“Ushqimet që forcojnë imunitetin janë të pasur me vitaminë c, antioksidantë të ndryshëm, dhe na mbrojnë jo vetëm lëkurën nga ekspozimi në diell dhe ndihmon që qelizat të mos dëmtohen nga temperaturat e larta. Fokusi te frutat dhe perimet sezonale, do veçoja frutat e pyllit, boronicat, mjedra, ushqimet me vitaminë A dhe C , shalqiri i etj. Për mbrojtjen e florës bakteriale kosi dhe kefiri, probiotikë të ndryshëm që jo vetëm freskojnë trupin por edhe e mbrojnë natyralisht”, tha ajo.

Në fund, nutricionistja rekomandoi kujdes edhe me produktet shtazore duke i gatuar mirë për të shmangur rrezikun e helmimeve ushqimore.

“Hidratimi është kryefjala e kësaj stine dhe uji është hidratuesi më i mirë, dhe duhet shmangur alkooli dhe pijet me sheqer. Ushqimet e mishit duhet të jenë të gatuara mirë si mishi i kuq, pula apo peshku dhe po ashtu dhe veza”, tha nutricionistja.

/rtsh.al/

Share This