“S’e di si mbijetuam”, proteston Guardiola: E papranueshme!
Manchester City luajti të mërkurën 120 minuta sfilitëse përballë Realit të Madridit.
Dy çerekfinalet spektakolare të Champions League u mbyllën pa fitues, koha shtesë gjithashtu, ndërkohë që te penalltitë buzëqeshën “Los Blancos”.
Eliminim i dhimbshëm për skuadrën e Pep Guardiolës, që të shtunën u rikthye sërish në fushë. Përballë Chelseat në “Wembley”, në kuadër të gjysmëfinales së FA Cup.
Citizens triumfuan 1-0 falë golit të Bernardo Silvës. Fati që mungoi ndaj Realit, ishte i pranishëm për djemtë e Guardiolës në duelin ndaj “Bluve të Londrës”. Me këta të fundit që humbën dy raste flagrante me Jackson.
Trajneri spanjoll i Cityt i përjetoi shumë minutat e fundit të takimit. Guardiola foli pas ndeshjes, ku zbuloi edhe se çfarë po mendonte teksa priste vërshëllimën e arbitrit.
“Në minutat e fundit e kisha mendjen te shtesat. I lutesha Zotit: ‘Jo, të lutem! Nuk dua sërish shtesa’… Nuk e di si arritëm të mbijetonim.
Është e papranueshme që luajtëm të shtunën. Sinqerisht, nuk është normale një gjë e tillë”, u shpreh trajneri i mirënjohur.
City do të sfidojë në finalen e madhe të FA Cup – kompeticionit aq të dashur për tifozët anglezë – fituesin e çiftit Manchester United-Coventry (SS1, 16:30).