Sara Gjergjaj synon ta udhëheq Kosovën U17 drejt Botërorit
Sara Gjergjaj është shpallur lojtarja më e mirë e IHF Trophy për zonën evropiane në grupmoshën U17.
Sara tashmë është edhe kapitene e Kombëtares U17, ndërsa synimi i ardhshëm i saj është që me Kosovën të kualifikohet në Botëror.
Për këtë Kosovës U17 i duhet që ta fitojë fazën interkontinentale të IHF Trophy që pritet të mbahet në muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Kosova U17 fitoi garën IHF Trophy për zonën evropiane, që të dielën përfundoi në Prishtinë. Kështu u kualifikua për fazën ndërkontinentale.
“Dëshiroj që të kualifikohemi në Kampionat Botëror me Kombëtaren U17. Momentalisht i gjithë fokusi dhe dëshira ime, por edhe i gjithë Kombëtares, është që të arrijmë në Kampionatin Botëror me U17. Pastaj, padyshim që ëndërr e imja është që një ditë të luaj në Kombëtaren A, të jap gjithë potencialin tim dhe të ndihmoj Kombëtaren që të arrijmë suksese”, ka thënë Sara Gjergjaj në një bisedë për sajtin zyrtar të FHK-së.
Ajo jeton dhe luan në Zvicër, ndërsa është krenare që përfaqëson Kosovën.
“Titulli MVP është nder i madh. Ndihem krenare me këtë të arritur. Dëshmon se përpjekjet dhe pasioni im për hendbollin janë vlerësuar. Pa dyshim që ky çmim më jep edhe më shumë motiv për të vazhduar punën de përpjekjet, që të zhvillohem dhe të kontribuoj për Kombëtaren. Suksesi im është rezultat i punës së madhe ekipore. Jam shumë falënderuese ndaj bashkëlojtareve dhe trajnerëve që kanë pasur besim në mua”, ka thënë Gjergjaj.
Ajo ndihet mirë që u zgjodh kapitene, por e di se me këtë ka edhe përgjegjësi shtesë.
Sara përpiqet të jetë shembull i mirë për ekipin, që të motivojë dhe ndihmojë bashkëlojtaret dhe që atmosfera të jetë shembullore.