Sandër Prosi, 105 vjet nga lindja e gjeniut të kinematografisë shqiptare

Sandër Prosi, 105 vjet nga lindja e gjeniut të kinematografisë shqiptare

Më 6 janar 1920 lindi në Shkodër, Aleksandër Prosi, i njohur prej publikut shqiptar si Sandër Prosi.

E ëma ishte shkodrane, ndërsa nga i ati kishin prejardhje vllehe, të ardhur në Tiranë nga Voskopoja.

Drama e parë në të cilën mori pjesë është “Vilhelm Teli”. Me bursë shtetërore shkoi për studime në Austri për stomatologji, të cilat nuk i përfundoi. Më 1947 mori pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fitoi atë. Këtu nisi dhe veprimtaria e tij e gjerë dhe e larmishme artistike.

Sandër Prosi krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve si Andon Zako Çajupi, Kolë Jakova, Besim Levonja, Loni Papa, Ismail Kadare, Teodor Laço, Ruzhdi Pulaha, Dritëro Agolli, Dhimitër Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj.

Interpretoi në rreth 30 filma ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e arte te kinematografisë tonë. Sandër Prosi ka lënë pas një galeri të rrallë personazhesh, një shkollë aktrimi, një pikë referimi për të gjithë brezat e rinj. Për të nuk kishte rol të madh apo të vogël. Ai dinte të ishte protagonist duke mishëruar në mënyrë të përkryer karaktere nga më ekstremet, që nga burri i shtetit, te hamalli; nga profesori, te luftëtari.

Për kontributin e tij të madh në zhvillimin e artit skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera. Në 25-vjetorin e vdekjes, Sandër Prosi u nderuar nga Presidenti i Republikës me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Në 24 shkurt 2017, aktori Sandër Prosi u nderua me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, pas vdekjes.

U nda nga jeta më 25 mars 1985, ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur”. /atsh/

Share This