
Samiti- Rama nis takimet dypalëshe, pret kreun e NATO dhe liderët europianë
Kryeministri Edi Rama ka nisur takimet dypalëshe me liderët ndërkombëtarë që vijnë sot në Tiranë për Samitin e Komunitetit Politik Europian.
Mësohet se janë 10 takime bilaterale që do të zhvillojë Rama me liderë të ndryshëm të botës. Mëngjesin e sotëm, kreu i qeverisë ka pritur në kryeministri Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte me të cilin, sikurse ka bërë me dije, në fokus të bisedimeve ka qenë forcimi i mëtejshëm i rolit të Shqipërisë në NATO, sfidat e sigurisë në rajon dhe kontributi i vendit tonë në Aleancë.
Rutte mbërriti një ditë më parë në Tiranë, për të marrë pjesë në punimet e Samitit të Komunitetit Politik Europian, që do të mbahet sot.
Shefi i NATO-s u prit nga ministri Pirro Vengu, i cili e konsideroi këtë vizitë si dëshmi të qartë të rolit të shtuar të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Rama pret në takim Sanchez: Thellojmë bashkëpunimin mes dy vendeve
Në takimet dypalëshe, kryeministri Edi Rama ka pritur edhe kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez. Duke e cilësuar takimin miqësor, Rama thotë se fokusi i diskutimit ka qenë pikërisht thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe mbështetja e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit.
“Me kryeministrin e Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sánchez, një takim miqësor e i rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Spanjës, bashkëpunimin ekonomik, dhe mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës për integrimin europian të Shqipërisë”, shkruan Rama. /rtsh/