Samiti i vendeve arabe për Gazën, zotohen 53 miliardë dollarë

Samiti i vendeve arabe për Gazën, zotohen 53 miliardë dollarë

Në samitin e liderëve të vendeve arabe janë zotuar 53 miliardë dollarë për rimëkëmbjen e Rripit të Gazës. Egjipti ka hartuar një plan sipas së cilit Gaza do të udhëhiqej nga një Komitet i përbërë nga teknokratët e kualifikuar.

Liderët e vendeve arabe që janë mbledhur në Egjipt në një samit për Rripin e Gazës, janë zotuar për sigurimin e 53 miliardë dollarëve për rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Gazës e këtë e kanë bërë si një plan rival ndaj atij të presidentit amerikan Donald Trump për ta marrë Gazën nën kontroll dhe zhvendosjen e dy milionë palestinezëve.

Në fund të këtij samiti disaorësh, Ahmed Gheit, Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, ka thënë se Plani i Egjiptit tani është një Plan Arab.

Egjipti ka hartuar një plan të detajuar 91 faqesh ku janë përfshirë edhe foto të lagjeve të pasura dhe ndërtesave të mëdha publike, si kundërpërgjigje ndaj planit të SHBA-s që e quajti si Riviera e Lindjes së Mesme.

Në fjalën e tij hyrëse, presidenti i Egjiptit Fattah al-Sisi bëri thirrje gjithashtu për një plan paralel përkrah planit për rindërtimin fizik për të ecur drejt asaj që njihet si zgjidhja me dy shtete, një shtet palestinez përkrah atij të Izraelit.

Sipas këtij plani, Gaza, përkohësisht do të udhëhiqej nga Komiteti Menagjues i Gazës nën ombrellën e qeverisë palestineze, e përbërë nga teknokratët e kualifikuar.

Disa vende arabe dihet se kanë bërë thirrje për shpërbërjen e plotë të Hamasit, e të tjerët besojnë se këto vendime duhe t’u lihen palestinezëve. Hamasi thuhet se ka pranuar se nuk do të luan rol në udhëheqjen e Gazës por të qartë e ka bërë se çarmatosja përbën vijën e kuqe. /rtk/

Share This