
Samiti i SEECP, Presidenti Begaj pret kryetarët e shteteve anëtare
Presidenti Bajram Begaj ka pritur këtë të hënë (16 qershor) në Tiranë, kryetarët e shteteve dhe delegacioneve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në kuadër të kryesimit të këtij procesi nga Shqipëria.
Presidenti Begaj mikëpriti Presidenten e Sllovenisë, Natasa Pirc Musar, Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatovic, Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetaren e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zeljka Cvijanovic Presidenten e Maqedonisë, Gordana Siljanovska Davkova dhe Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev. Ky i fundit do të marrë kryesimin e radhës së SEECP-së për vitin e ardhshëm.
Kreu i Shtetit i uroi gjithashtu mirëseardhjen në samit Kryeministrit të Serbisë, Duro Macut, ndërsa morën pjesë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), z. Amer Kapetanovic, dhe Shefi i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.
Samiti me temë: “Nxitja e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE” synon që anëtarët aspirantë të BE-së, vendet e BE-së dhe partnerët të bashkëpunojnë duke reflektuar mbi progresin e kësaj platforme për të ecur përpara në të njëjtin drejtim në përballimin e sfidave të përbashkëta. Shqipëria mori për herë të tretë kryesimin e SEECP-së në vitin 2024 nën sloganin “Formësimi i së ardhmes sonë evropiane” dhe ka kontribuuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal, për zbatimin e objektivave të Tregut të Përbashkët Rajonal, si dhe duke përshpejtuar procesin e integrimit evropian.
SEECP është një platformë e rëndësishme e Bashkëpunimit Rajonal dhe e Integrimit Europian. Samiti në Tiranë do të shërbejë për nxitjen e stabilitetit dhe prosperitetit me ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve dhe integrimin në BE.
Në këtë kontekst, liderët pjesëmarrës synojnë që në këtë samit të shprehin angazhim për të forcuar më tej rolin e SEECP-së. Gjithashtu, ata do të paraqesin përfundimet e samitit në një deklaratë të përbashkët.
Presidenti Begaj në mbyllje të samitit do t’i kalojë homologut të tij bullgar, Presidentit Radev Kryesinë e radhës të SEECP-së.
Veç mikpritjes së samitit, Presidenti Begaj pritet të zhvillojë takime të veçanta me homologë e liderë pjesëmarrës të procesit të SEECP-së për të thelluar më tej bashkëpunimin e Shqipërisë me këto vende. /rtsh/