
Samiti i SEECP, Begaj pret nesër kryetarët e shteteve anëtare në Tiranë
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, do të presë të hënën më 16 qershor në Tiranë, kryetarët e shteteve dhe delegacioneve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në kuadër të kryesimit të këtij procesi nga Shqipëria.
“Nxitja e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE” është tema e këtij sesioni plenar që do të hapet nga Presidenti Begaj në cilësinë e Kryetarit në detyrë të Samitit të SEECP.
SEECP është një platformë e rëndësishme e Bashkëpunimit Rajonal dhe e Integrimit Evropian.
Shqipëria si kryesuese e radhës e SEECP për periudhën qershor 2024 – korrik 2025 nën sloganin “Formësimi i së ardhmes sonë evropiane” ka kontribuuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal, për zbatimin e objektivave të Tregut të Përbashkët Rajonal, si dhe duke përshpejtuar procesin e integrimit evropian.
Samiti i SEECP që do të mbahet të hënën në Tiranë do të shërbejë për nxitjen e Stabilitetit dhe Prosperitetit me ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve dhe integrimin në BE.
Në këtë kontekst, liderët pjesëmarrës synojnë që në këtë samit të shprehin angazhim për të forcuar më tej rolin e SEECP-së. Gjithashtu, ata do të paraqesin përfundimet e samitit në një deklaratë të përbashkët.
Presidenti Begaj në mbyllje të samitit do t’i kalojë homologut të tij bullgar, Presidentit Radev Kryesinë e radhës të SEECP-së. Veç mikpritjes së samitit, Presidenti Begaj pritet të zhvillojë takime të veçanta me homologë e liderë pjesëmarrës të procesit të SEECP-së për të thelluar më tej bashkëpunimin e Shqipërisë me këto vende.