
Samiti digjital në Berlin, Merz kërkon sovranitet më të madh digjital
Në një samit digjital në Berlin, kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje për zgjerimin dhe përshpejtimin e kapaciteteve në fushën e inteligjencës artificiale. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se koha për të ngushtuar hendekun me fuqitë kryesore teknologjike, SHBA-në dhe Kinën, po mbaron.
Kancelari Friedrich Merz kërkoi më shumë dinamizëm nga Gjermania dhe Evropa në garën ndërkombëtare për zhvillimin e inteligjencës artificiale.
“Në Gjermani dhe Evropë, ne mundemi – dhe besoj se duhet – të bëhemi shumë më të shpejtë dhe më efektivë në zhvillimin e teknologjive digjitale dhe vënien e tyre në përdorim praktik”, deklaroi Merz gjatë Samitit Digjital, të organizuar nga Qeveria Federale në Berlin.
“Ne duhet dhe duam të bëhemi liderë”, theksoi ai.
Merz prezantoi një strategji me dy drejtime. Në planin afatshkurtër, fokusi do të jetë në përshpejtimin e zhvillimit të modeleve të inteligjencës artificiale për përdorim industrial, me qëllim forcimin e konkurrueshmërisë së bizneseve.
Paralelisht, do të intensifikohen kërkimet për modelet e gjeneratës së ardhshme të inteligjencës artificiale, veçanërisht në fushën e IA-së fizike.
Synimi është zvogëlimi i varësisë nga SHBA-ja dhe Kina
Një nga objektivat kryesore të strategjisë është zvogëlimi i varësisë teknologjike nga gjigantët e teknologjisë në SHBA dhe Kinë.
Për këtë qëllim, Merz synon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar, veçanërisht me Francën dhe Kanadanë, përmes shkëmbimit të njohurive dhe diversifikimit të zinxhirëve të furnizimit.
Në fazën e parë, Qeveria gjermane do t’i japë përparësi zhvillimit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale në industri dhe fabrika.
Sipas Merzit, inteligjenca artificiale do të transformojë rrënjësisht botën e punës dhe do të rrisë produktivitetin. Ai pranoi se kjo teknologji paraqet edhe rreziqe, por theksoi se ato nuk duhet të shërbejnë si arsye për frikë.
“Nëse e refuzojmë këtë teknologji, rënia është e pashmangshme”, deklaroi kancelari gjerman.
Megjithatë, ai nënvizoi se zhvillimi i inteligjencës artificiale duhet të udhëhiqet nga vlerat njerëzore. Merz kërkoi që politika teknologjike të zhvillohet “në përputhje me vlerat dhe interesat tona të sigurisë”.
Grupi i punës prezanton planin për ta bërë Gjermaninë “Komb të IA-së” deri në vitin 2030
Në konferencën dyditore në Berlin, përfaqësues të qeverisë, ekspertë dhe sipërmarrës të teknologjisë nga vende të ndryshme po diskutojnë mundësitë, rreziqet dhe ndikimin e inteligjencës artificiale.
Qeveria Federale vlerëson se 18 muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për të ardhmen e Gjermanisë në garën ndërkombëtare të inteligjencës artificiale.
Në këtë drejtim, gjatë verës, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Qeverisë Federale krijoi një grup pune për inteligjencën artificiale, të udhëhequr nga Ministria për Çështjet Digjitale.
Në dokumentin e prezantuar në samit përcaktohet objektivi që deri në vitin 2030 Gjermania të shndërrohet në një “Komb të Inteligjencës Artificiale”, duke synuar të renditet ndër vendet lidere në këtë fushë.
Plani parasheh që deri në vitin 2030, të paktën 80 për qind e ndërmarrjeve të mëdha dhe 55 për qind e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të përdorin inteligjencën artificiale.
Gjithashtu, synohet që numri i kompanive të reja (start-up) në këtë sektor të trefishohet, ndërsa pjesa e prodhimit ekonomik të gjeneruar nga inteligjenca artificiale të tejkalojë 10 për qind.
Ekspertët: Dritarja e mundësisë për të ngushtuar hendekun po mbyllet
Pavarësisht potencialit të Gjermanisë, ekspertët paralajmërojnë se vendi rrezikon të mbetet gjithnjë e më shumë prapa SHBA-së dhe Kinës, të cilat aktualisht janë qendrat kryesore të zhvillimit të inteligjencës artificiale.
Në raportin përfundimtar të grupit të punës për inteligjencën artificiale, të prezantuar gjatë Samitit Digjital, theksohet se, ndonëse Gjermania ka një pozicion të fortë fillestar, veçanërisht në fushën e kërkimit shkencor, hendeku me fuqitë kryesore teknologjike po zgjerohet vazhdimisht.
“Dritarja e mundësisë për të ngushtuar këtë hendek së shpejti do të mbyllet”, thuhet në raport.
Sipas ekspertëve, 12 deri në 18 muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për përcaktimin e drejtimit që do të marrë Gjermania në garën globale për inteligjencën artificiale.

