Sali Berisha: Pa guximin e ambasadorit Walker, historia e Kosovës nuk do të ishte kjo që është sot
Bashkia e Kavajës ka dekoruar me certifikatë mirënjohjeje, William G. Walker, ish-shefin e misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë gjatë luftës, i cili ishte i pari që e dëshmoi masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.
Certifikata e Mirënjohjes iu dha Walker nga kryetari i bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, me motivacionin “një shenjë mirënjohje për kontributin si ambasador, diplomat, humanist dhe avokat i vendosur i kauzës së Kosovës”.
I pranishëm ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili në fjalën e tij tha se, “në muret e historisë së këtij kombi, ambasadori Walker është jo vetëm një hero i Kosovës, por është një hero i Shqipërisë dhe hero i çdo shqiptari, pasi ai ka bërë për lirinë kombëtare, si individ, ka dhënë një kontribut që shqiptarët nuk i dalin borxhit kurrë”.
Më tej Berisha shtoi se “pa qëndrimin tuaj, pa guximin, pa ndershmërinë tuaj, ndoshta historia e Kosovës nuk do të ishte kjo që është sot”.
Më certifikata mirënjohjeje u vlerësuan nga bashkia e Kavajës edhe dy gazetarë, Ilir Ikonomi dhe Beqir Sina.
Kryedemokrati tha se dy gazetarët janë “personalitete të shquara të shqiptarëve jashtë vendit”.
“Ilir Ikonomi është një nga gazetarët, publicistët, por në fakt edhe nga historianët më të shquar të vendit. Zëri i Amerikës luajti një rol të jashtëzakonshëm në përmbysjen e diktaturës komuniste si burim i vetëm informimi e inkurajimi i shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
“Beqir Sina, përfaqësues i asaj shtrese që u sakrifikua, u martirizua për vlerat më të arrira të njeriut, të asaj shtrese që pas Luftës së Dytë Botërore do të përjetonte kampet e përqendrimit, të ngritura me modelin e kampeve naziste, me qëllim të vetëm, shfarosjen e shtresës armike. Kjo është e vërteta. Beqir Sina përfaqëson atë shtresë, e cila si elitë e kombit, u projektua të zhdukej, të mos ekzistonte”, tha Berisha.
“Beqir Sina, një gazetar i talentuar, por edhe shkrimtar, me veprat e tij ka plotësuar serinë e veprave të letërsisë sonë ‘Rrno për me tregue’, pa të cilën letërsia e Shqipëria dhe historia e saj do të ishin gjysmane. Madje jo vetëm gjysmake, por edhe e turpëruar, se ai ishte një realitet shumë dramatik”, u shpreh Berisha.
I pranishëm në ceremoninë e dekorimit të organizuar nga bashkia Kavajë dhe Shoqata e të Përndjekurve Antikomunistë, ishte edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi. /ATSH/