Salah dhe De Bruyne, objektivat kryesore të Arabisë Saudite për verën e ardhshme
Mohamed Salah dhe Kevin De Bruyne raportohet se kryesojnë listën e dëshirave të transferimeve nga Arabia Saudite për verën e vitit 2024.
Pas kalimit të Cristiano Ronaldos në Al-Nassr në janar, një numër i madh i yjeve të futbollit evropian ndoqën rrugën e pesë herë fituesit e “Topit të Artë”, shkruan Express.
Krahas Al-Nassr, kampionët e Ligës Profesionale Saudite, Al-Ittihad, Al-Ahli dhe Al-Hilal – katër skuadrat e mbështetura nga Fondi i Investimeve Publike – bindën lojtarë si Neymar, Karim Benzema, N’Golo Kante, Fabinho, Sadio Mane, Kalidou Koulibaly, Riyad Mahrez dhe Gabri Veiga për të bërë lëvizjen në Lindjen e Mesme.
Al-Ettifaq i Steven Gerrard gjithashtu siguroi disa transferime të mëdha, duke siguruar nënshkrimet e Jordan Henderson, Georginio Wijnaldum e Demarai Grey.
Duke vazhduar përpjekjet e tyre për ta bërë ligën e tyre një nga më interesantet në botë, “talkSPORT” pretendon se Arabia Saudite ka caktuar tashmë Salahn dhe De Bruynen si objektivat e tyre kryesor për verën e ardhshme.
Sulmuesi i Liverpoolit ishte tashmë objekt spekulimesh rreth një lëvizjeje të mundshme në Al-Ittihad gjatë fundit të afatit kalimtar të verës së këtij viti, por që një lëvizje e tillë nuk ndodhi.
Egjiptiani ka kontratë të vlefshme me “Të Kuqtë” deri më 30 qershor 2025, por besohet se Al-Ittihad do të tentojë sërish transferimin e tij.
Ndërkohë, De Bruyne besohet se refuzoi ofertat fitimprurëse nga skuadrat elitare saudite për të qëndruar në Manchester City, por gjithçka mund të ndryshojë në verën e vitit 2024.
Edhe mesfushori belg ka kontratë të vlefshme me klubin e tij deri në verën e vitit 2025, teksa thuhet se “Qytetarët” kanë pezulluar bisedimet për rinovimin e kontratës shkaku i lëndimit që ka pësuar lojtari.