Sahiti: Objektivi i kualifikimit u dëmtua nga montimi i rasteve ndaj presidentit Ademi

Sahiti: Objektivi i kualifikimit u dëmtua nga montimi i rasteve ndaj presidentit Ademi

Kombëtarja e Kosovës ka realizuar fitoren e parë në ciklin kualifikues për Euro 2024.

Kjo fitore erdhi si mysafire ndaj Andorrës me rezultat bindës (3:0), ekip i cili në fillim të fushatës kualifikuese befasoi Dardanët duke rrëmbyer një pikë në ‘Fadil Vokrri’ (1:1), me çka ia vështirësoi objektivin për kualifikim.

Drejtori i Kombëtares, Muharrem Sahiti e ka një shpjegim lidhur me paralelen që po merret tani nga analistë e media sa i përket barazimit dhe tani fitores bindëse ndaj të njëjtit kundërshtar.

Ai në intervistë ekskluzive për “Futbolli.info” thotë se pengesë kryesore në objektivin e Dardanëve për kualifikim në Evropian ishin kritikat e pavenda, thashethemet e ndryshme për ekipin kombëtar dhe montimi i rasteve kundër kreut të federatës, Agim Ademi.

Madje, ai thotë se pikërisht rasti i fundit ndaj presidentit Ademi ka pasur ndikim të drejtpërdrejt në moralin dhe paraqitjen e skuadrës në dy ndeshjet e para të kësaj fushate kualifikuese, e që në masë të madhe e dëmtoi objektivin madhor – kualifikimin në Euro 2024.

Për çfarë ju shërbeu fitorja me Andorrën?

Muharrem Sahiti: Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për moralin e ekipit, por ne thjesht e kryem një detyrë që e kishim, pasi dallimi në cilësi ndërmjet nesh dhe kundërshtarit ishte i madh.

Por ishte po kjo Andorrë që na mori pikë në ‘Fadil Vokrri’, ndërsa tani realizuam fitore bindëse. Si e shpjegoni këtë ndryshim?

Muharrem Sahiti: Po është fakt që i njëjti kundërshtar na mori pikë, por në futboll ndodhin edhe befasi të tilla. Megjithatë, lirisht mund të them se ai rezultat i ndeshjes së parë erdhi si pasojë e ngjarjeve të cilat ndodhën në atë periudhë me presidentin Ademi dhe gjithë ai shou që u bë kundër tij dhe zyrtarëve tjerë të federatës me akuza të pabaza. Ne ishim përgatitur për këtë fushatë kualifikuese për 5-6 muaj, por pikërisht atëherë kur na duhej mbështetja e të gjithëve dhe e shtetit, ndodhi ai spetakli i hetuesve në hotelin ku ishte i akomoduar ekipi kombëtar dhe më pas ndalimi i presidentit Ademi. Kjo ndodhi vetëm një ditë para se ai t’i drejtohej ekipit kombëtar për ta shpalosur objektivin e kualifikimit, kushtet dhe shpërblimet për lojtarët në rast të kualifikimit historik, pasi së bashku me KE të FFK-së dhe stafin e Kombëtares e kishim vlerësuar se kjo ishte një mundësi shumë e mirë për kualifikimin në Euro 2024.

Realisht kemi qenë si një lloj jetimi në këtë rrugëtim. Prandaj, kur bëhen ato analizat e thukta të Kombëtares duhet të merret për bazë edhe kjo që ndodhi me presidentin Ademi, e që ka qenë shumë e padrejtë. Në vend që të organizohet i gjithë shteti në mbështetje të Kombëtares, ne fatkeqësisht u penalizuam dy ditë para nisjes së ciklit kualifikues. Sidoqoftë, për këto gjëra do të flasë gjerë e gjatë në fund të kësaj fushate kualifikuese, ngase në vazhdimësi ka pasur shigjeta në drejtim të Kombëtares pikërisht para ndeshjeve të rëndësishme. Ne e dimë prej nga vinë ato thashetheme e skenare, por nuk kemi pritur se do të shkojnë aq larg sa do të bëjnë një shou të tillë, duke përfshirë edhe organet e rendit pikërisht gjatë kampit të kombëtares dhe atë pak ditë para ndeshjeve të para të këtij cikli kualifikues. E sa e rëndësishme është prezenca e presidentit Ademi për ekipin dhe stafin e Kombëtares e dëshmon edhe fitorja në Andorrë.

A janë shuar shpresat për kualifikim?

Muharrem Sahiti: Pas humbjes ndaj Rumanisë objektivi ynë u zbeh dhe tani qëllimi është të afrojmë lojtarë të rinj për t’u përgatitur për të ardhmen, por pa hequr dorë nga qëllimi për të marrë rezultate pozitive në ndeshjet e mbetura dhe për të pritur se çfarë rezultatesh do të kenë rivalët tanë, ngase tani kualifikimi nuk varet vetëm nga ne. Gjithsesi duhet ta pranojmë se gjatë këtij cikli kemi ngecur në aspektin sportiv, por kjo ka ndodhur si pasojë e gjithë atyre gjërave jashtë futbollit. Ne do të mësojmë nga gabimet tona dhe po punojmë në këtë drejtim. Synojmë të marrim vetëm gjërat pozitive nga kjo fushatë kualifikuese, derisa gjërat negative do t’i lëmë anash. Pra, sigurisht se nga këto gabime do të reflektojmë edhe ne por edhe futbollistët, në mënyrë që në të ardhmen të arrijmë maksimumin.

Si e shihni rolin e lojtarëve të rinj në ekipin kombëtar?

Muharrem Sahiti: Lojtarët e rinj janë një aset i madh për të ardhmen tonë. Ata kanë treguar potencialin e tyre dhe kanë treguar karakter të lartë. Ata i shohim si pjesë të rëndësishme të ekipit tonë dhe besojmë se do të zhvillohen edhe më shumë në të ardhmen në klubet ku aktivizohen. Të gjithë ata që ishin të grumbulluar për ndeshjen e fundit treguan cilësitë e tyre dhe dëshmuan se mund të mbështetemi tek ta në të ardhmen. Mosha e tyre dhe potenciali që zotërojnë duke u gërshetuar me lojtarët tjerë me përvojë pa dyshim do të mundësojnë që të krijojmë në ekip të shkëlqyeshëm.

Ndeshjen ndaj Andorrës e fituam, por humbëm për disa muaj një lojtar shumë perspektiv si Albion Rrahmani. Cila ishte atmosfera pas atij lëndimi që pësoi ai?

Muharrem Sahiti: Kosova e ka fituar një sulmues të jashtëzakonshëm për të ardhmen. Të gjithë jemi prekur jashtëzakonisht shumë nga lëndimi i Albion Rrahmanit, por shpresojmë që ai do të kthehet së shpejti. Pjesën e dytë nuk e kemi parë sepse kemi qenë afër tij në spital. Edhe presidenti Ademi ka ardhur menjëherë dhe i ka qëndruar pranë për ta inkurajuar ta kalojë sa më lehtë këtë periudhë të vështirë. Fatmirësisht ai është pjesë e një klubi profesional si Rapid Bukuresht, i cili ka ardhur dhe e ka marrë me ‘charter’ në Prishtinë menjëherë pasi jemi kthyer nga Andorra. Ai të hënën do t’i nënshtrohet operimit dhe besoj se pas 3 muajsh do të rikthehet në stërvitje. Ne sigurisht se do t’i qëndrojmë afër dhe do ta mbështesim në të gjitha mënyrat.

Para ndeshjes me Andorrën në klubet e tyre u lënduan edhe disa lojtarë, cila është gjendja e tyre?

Muharrem Sahiti: Po, fatkeqësisht përveç Albionit që u lëndua në ndeshjen me Andorrën, para grumbullimit me kombëtaren u lënduan edhe disa lojtarë tjerë, e ku lëndim më serioz ka Ismajl Beka. Kemi kontaktuar dje me të dhe ai na ka konfirmuar se si pasojë e lëndimit do të jetë i detyruar të operohet javën e ardhshme. Por edhe kjo është pjesë e karrierës. Ajo çfarë është me rëndësi në këtë periudhë është që këta lojtarët duhet ta kenë moralin e lartë dhe të pajtohen me atë që ka ndodhur dhe t’i ndihmojnë vetes për t’u kthyer sa më shpejtë, e për çka kam besim të plotë sepse përveç se janë lojtarë të mirë në aspektin sportivë ata janë edhe djem me shumë karakter dhe shumë punëtorë. Edhe Ismajl Beka është një mbrojtës i jashtëzakonshëm, të cilin e kemi fituar për të ardhmen, falë edhe dëshirës së tij për të luajtur për Kosovën. Ai ka pasur ofertë edhe nga Zvicra, por e zgjodhi fanellën dardane me zemër, për çka ne e falënderojmë. Ai nuk e ka shikuar aspektin personal se cila kombëtare është më e madhe por e ka zgjedhur Kosovën për shkak të dashurisë së madhe për vendlindjen e prindërve të tij.

Një tjetër lojtar i ri që la gjurmë ishte Altin Zeqiri, i cili në pak minuta që luajti tregoi vlerat e tij duke shënuar edhe gol. Si e vlerësoni paraqitjen e tij?

Muharrem Sahiti: Është jashtëzakonisht mirë për Altin Zeqirin që qysh në paraqitjen e parë në fanellën e Kombëtares të shënojë gol. Kjo është një gjë e jashtëzakonshme, pasi ky gol e rrit vetëbesimin e tij. Ne si staf i Kombëtares të gjithë lojtarët i vlerësojmë edhe në bazë të paraqitjeve të tyre në klubet ku luajnë, por edhe gjatë stërvitjeve me kombëtaren dhe Altini e dëshmoi se nuk është rastësisht pjesë e Kombëtares. Por, jo vetëm Zeqiri por edhe të tjerët që kanë pasur minutazh në ndeshjen e fundit dhe ata që ishin të grumbulluar kanë dëshmuar vlera të larta dhe formë të mirë. Kjo na jep shpresa të mëdha se Kosova e ka një gjeneratë shumë të mirë, me të cilën do të mund të synojë sukseset e mëdha në të ardhmen.

Cili është plani për të ardhmen dhe si do të përmirësohet performanca e ekipit?

Muharrem Sahiti: Planifikojmë të vazhdojmë punën me përkushtim dhe në afrimin e lojtarëve tjerë perspektivë. Jemi në kontakt me shumë lojtarë të cilët i shohim si potencial. Prurje e re ka qenë edhe Shkëlqim Vladi, i cili është një sulmues premtues, i cili i përshtatet lojës sonë, por fatkeqësisht pësoi lëndim në ndeshjen e fundit para se të grumbullohej me kombëtaren. Kemi edhe shumë lojtarë tjerë, por për shkak të procesit dhe për të mos i penalizuar lojtarët ne nuk dalim në opinion për negociatat me ta. Fitoret dhe sukseset janë synimi ynë dhe ne jemi të përkushtuar të bëjmë më mirë në të ardhmen për ekipin kombëtar.

Share This