“Sa turp, BATE tashmë ka vdekur” – tifozët bjellorusë “gozhdojnë” ekipin pas debaklit nga Ballkani

“Sa turp, BATE tashmë ka vdekur” – tifozët bjellorusë “gozhdojnë” ekipin pas debaklit nga Ballkani

BATE Borisov ka marrë një nga humbjet më të mëdha në vitet e fundit edhe atë pikërisht nga kampioni i Kosovës, Ballkani, të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ballkani nën urdhrat e trajnerit Ilir Daja triumfoi 4:1 kundër BATE Borisov, në kuadër të ndeshjes së parë të “Play-Off”-it për fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, shkruan lajmi.

Në njoftimin e rezultatit final të publikuar nga BATE Borisov në faqen zyrtare në Facebook, tifozët bjellorusë shprehën mllefin e tyre me disfatën e pësuar në kryeqendrën e Kosovës.

“Sa turp. Skuadra që luajti në Ligën e Kampionëve ka shkuar drejt humnerës” – “BATE tashmë ka vdekur”, ishin disa nga komentet e tifozëve bjellorusë.

Kishte nga ta që edhe e uronin Ballkanin për triumfin e madh, fitore e cila e afron shumë drejt kualifikimit në fazën e grupeve në ligën e tretë më prestigjioze evropiane të organizuar nga UEFA.

“Urime Ballkanit nga një mbështetës i Dinamo Minskut. Fatkeqësisht për ekipin tuaj në Evropë nuk ka ekipe si kampioni i Bjellorusisë që ka fituar tituj fals” – komentoi një tjetër tifoz.

Golat e fitores së madhe te Ballkani i shënuan mbrojtësi Jashanica, Bleart Tolaj me dy sosh dhe një nga Armend Thaqi.

Ndeshja e kthimit ndërmjet BATE Borisov dhe Ballkanit luhet një javë më vonë në Hungari.

Nëse nuk ndodh “mrekullia”, Ballkani kualifikohet në grupet e Ligës së Konferencës për herë të dytë me radhë.

Share This