Sa paguhet Trumpi si president i ShBA-së?
Paga e presidentit të ShBA-së nuk është rritur për më shumë se 20 vjet .
Kjo nënkupton që Donald Trump, i sapozgjedhur president, do të marrë të njëjtën pagë si paraardhësit e tij: 400 mijë dollarë në vit, siç përcaktohet në titullin 3 të Kodit të ShBA-së.
Përveç pagës bazë, presidenti përfiton 50 mijë dollarë për shpenzime, 100 mijë dollarë për udhëtime dhe 19 mijë dollarë si buxhet argëtimi.
Gjithashtu, presidenti ka në dispozicion përfitime të tjera të rëndësishme, përfshirë rezidencën ikonike të Shtëpisë së Bardhë, shkruajnë mediet e huaja.
Historikisht, paga e presidentit është rritur për herë të fundit midis viteve 1969 dhe 2001, kur ajo kaloi nga 200 mijë në 400 mijë dollarë. Në vitin 1999, gjatë një seance për të diskutuar rritjen e pagës është theksuar se kompensimi për një nga “punët më të vështira dhe më të rëndësishme” kishte mbetur i pandryshuar për më shumë se tre dekada.
Nga ana tjetër, ish-presidentët e ShBA-së vazhdojnë të përfitojnë paga edhe pas largimit nga detyra. Që nga viti 1958, ata marrin një pension vjetor që sot arrin mbi 200 mijë dollarë.
Pas mandatit, presidentët amerikanë përfitojnë shuma të mëdha përmes angazhimeve publike, marrëveshjeve me mediat dhe aktiviteteve të tjera fitimprurëse.
Kujtojmë se gjatë mandatit të tij të parë si president i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zgjedhur të dhurojë pagën e tij presidenciale për qëllime bamirësie.