Rutte: Rusia dhe Kina po përpiqen të destabilizojnë NATO-n
Rusia dhe Kina po përpiqen të destabilizojnë NATO-n përmes akteve të sabotimit dhe krimit kibernetik, tha sot sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte.
“Fushata në rritje e veprimeve armiqësore të Rusisë kundër vendeve të NATO-s do të nxisë aleancën të ndajë më mirë informacionin e shërbimeve sekrete dhe të koordinoje mbrojtjen e infrastrukturës së rëndësishme”, tha Rutte.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s ndodhen në Bruksel në ditën e dytë të samitit, në selinë e aleancës, të fokusuar në sulmet hibride ruse dhe kineze.
Ministri i Jashtëm çek Jan Lipavský tha se kishte pasur 500 incidente të dyshimta në Evropë në vitin 2024 dhe se gati 100 prej tyre mund t’i atribuoheshin Rusisë.
“NATO-ja duhet t’i dërgojë një sinjal të fortë Moskës se aktivitete të tilla nuk do të tolerohen”, tha Lipavský.
“Është shumë e rrezikshme”, theksoi ai.
Një zyrtar i lartë i NATO-s, tha se aleanca i frikësohej akteve të mëtejshme serioze të sabotimit dhe sulmeve kibernetike në territorin e saj.
Zyrtari tha se Rusia, në veçanti dukej se po bëhej më e gatshme për të dëmtuar ose rrezikuar jetë – përmes sabotimeve në vendet anëtare të NATO-s.
“Kina, Irani dhe Koreja e Veriut janë gjithashtu aktive në sulme kibernetike”, sipas zyrtarit. “Pekini, ashtu si Moska, po kryen një fushatë të vazhdueshme për të përhapur malware”, tha zyrtari.
Synimi i tyre është kryerja e spiunazhit, por edhe aftësia për të shkaktuar përçarje në rast të rritjes së tensioneve.
“Rusia po fokusohet në infrastrukturën e rëndësishme dhe veçanërisht në sistemet e kontrollit industrial”, tha zyrtari, raporton atsh.