
Rutte arrin në Prishtinë, nis takimin me presidenten Osmani
Me nderime të larta shtetërore është pritur në oborrin presidencial, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, aty ku u prit nga presidentja e shtetit, Vjosa Osmani.
Pas shtrëngimit të duarve dhe fotografisë para gazetarëve, kameramanëve e fotoreporterëve, nisën takimin e përbashkët.
Pas takimit pritet të ketë konferencë për media, ndërsa, pas presidencës Rutte do të zhvillojë takim në kryeministri, me kreun qeveritar, Albin Kurti.
Përveç takimit me liderë shtetëror, Rutte do të vazhdojë takimet edhe me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, ambasadorin e BE-së, Aivo Orav, shefin e EULEX-it, Giovanni Barbano e shefen e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.
Rutte erdhi në Kosovë, pas vizitës që zhvilloi në Bosnje e Hercegovinë. Nga atje tha se Kosova është një vend shumë i rëndësishëm, ku prania e NATO-s është e fortë përmes trupave të KFOR-it.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, para ardhjes në Prishtinë, ka thënë se Kosova është një vend shumë i rëndësishëm, ku prania e NATO-s është e fortë përmes trupave të KFOR-it.
“Është e rëndësishme të angazhohemi të gjithë që ky shtet të jetë në situatën më të mirë të mundshme. Atje ka pasur zgjedhje dhe do të shohim si do të formohet Qeveria e re. Gjithë kjo është pjesë e një procesi normal demokratik, gjë që është e mirë. Por në të gjithë rajonin situata po ndryshon. Jam në komunikime intensive, jo vetëm me krerët e Kosovës dhe ata të Bosnjë e Hercegovinës, por javën e kaluar kam biseduar edhe me Vuçiqin, që javën tjetër pritet të jetë së shpejti në Bruksel. Pra, komunikimet janë intensive që tensionet në rajon të ulen”, ka theksuar Rutte për Al Jazeera Balkans. /rtk/