Rusia dhe Ukraina kryejnë sulmet më të mëdha me dronë që nga fillimi i luftës
Rusia dhe Ukraina kanë kryer sulmet e tyre më të mëdha me dron kundër njëra-tjetrës që nga fillimi i luftës, sipas BBC.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ka kapur 84 dronë ukrainas mbi gjashtë rajone, duke përfshirë disa që i afroheshin Moskës, gjë që detyroi fluturimet të devijoheshin nga tre nga aeroportet kryesore të kryeqytetit.
Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia lëshoi 145 drone drejt çdo pjese të vendit të shtunën mbrëma, ku shumica e tyre u rrëzuan.
Sulmet vijnë mes pritjeve se presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump mund të ushtrojë presion mbi të dyja palët për t’i dhënë fund konfliktit.
Përpjekja për sulm të Ukrainës ndaj Moskës ishte gjithashtu sulmi më i madh i saj në kryeqytet që nga fillimi i luftës dhe u përshkrua si “masive” nga guvernatori i rajonit.
”Shumica e dronëve u rrëzuan në rrethet Ramenskoye, Kolomna dhe Domodedovo”, thanë zyrtarët.
”Në Ramenskoye, në jugperëndim të Moskës, pesë persona u plagosën dhe katër shtëpi u përfshinë nga zjarri për shkak të rënies së mbeturinave”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes.
Ai shtoi se 34 dronë ishin rrëzuar mbi qytet.
Në shtator, një grua u vra në një sulm me dron që goditi Ramenskoye.
Në maj të vitit të kaluar, dy dronë u shkatërruan pranë Kremlinit në qendër të Moskës dhe pati disa sulme me dronë në zonën e biznesit të qytetit të Moskës.
Në Ukrainë, të paktën dy persona u plagosën pasi një dron goditi rajonin e Odesës.
Imazhet treguan flakët që ngriheshin nga disa ndërtesa si dhe dëmet.
Forcat ajrore ukrainase thanë se 62 dronë të prodhuar nga Rusia u rrëzuan, ndërsa 67 kishin “humbur”.
”Dhjetë të tjerë u larguan nga hapësira ajrore e Ukrainës duke u kthyer në drejtim të Rusisë si dhe Bjellorusisë dhe Moldavisë fqinje”, thanë ato.
Sulme të tjera u raportuan gjatë natës së të hënës, me Rusinë që tha se kishte shkatërruar 13 dronë ukrainas pranë rajoneve të Kursk dhe Belgorod.
”Ndërkohë, pesë persona u vranë në Mykolaiv, në jug të Ukrainës, pas një sulmi ajror që la në flakë ndërtesat e banimit”, sipas guvernatorit rajonal Vitaliy Kim. /atsh/