
Rusia dhe SHBA-ja rinisin bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të rifillojnë nesër bisedimet në Stamboll – për normalizimin e marrëdhënieve të tyre diplomatike pas një periudhe tensioni, tha dje në mbrëmje zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
“Nuk ka çështje politike apo të sigurisë në rendin e ditës, dhe Ukraina nuk është e përfshirë në agjendë”, tha zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Tammy Bruce.
“Këto bisedime fokusohen vetëm në operacionet e ambasadave tona, jo në normalizimin e një marrëdhënieje dypalëshe në përgjithësi, gjë që mund të ndodhë, siç e kemi theksuar, vetëm pasi të ketë paqe mes Rusisë dhe Ukrainës”, shtoi ajo.
Ministria e Jashtme ruse ka emëruar ambasadorin e ri në Uashington, Alexander Darchiev, për të udhëhequr delegacionin rus, ndërsa Sonata Coulter do të kryesojë delegacionin amerikan.
Të dyja palët e përshkruan raundin e parë të bisedimeve në Stamboll, më 27 shkurt si të dobishëm.
Në takim, SHBA-ja e pranoi emërimin e Alexander Nikitich Darchiev – ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga viti 2025.
Vite të tëra marrëdhëniesh të tensionuara çuan në kufizimin e punës së ambasadave në kryeqytetet përkatëse, me përjashtimin e shumë diplomatëve.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë përpjekje për përmirësimin e marrëdhënieve që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar. /atsh/