Rusia bombardon Ukrainën, ndërsa bisedimet me SHBA-në për paqen hyjnë në ditën e dytë

Rusia bombardon Ukrainën, ndërsa bisedimet me SHBA-në për paqen hyjnë në ditën e dytë

Ukraina ka dënuar një valë të re sulmesh ruse gjatë natës, që kanë shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve, ndërsa bisedimet me Shtetet e Bashkuara për të dhënë fund luftës kanë hyrë në ditën e dytë.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, deklaroi se sulmi brutal goditi jo vetëm popullin ukrainas, por edhe tryezën e negociatave.

“Sulmi barbar gjatë natës vërteton edhe një herë se vendi i Putinit nuk është në bordin e paqes, por në bankën e të akuzuarve të gjykatës speciale,” tha Sybiha.

Delegacione nga Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja janë takuar në Abu Dhabi, në bisedimet e para trepalëshe që prej fillimit të pushtimit të plotë rus në Ukrainë në vitin 2022.

Kryetari i bashkisë së Kievit njoftoi se një person humbi jetën dhe disa të tjerë u plagosën, ndërsa infrastruktura kritike e kryeqytetit u dëmtua, duke lënë rreth 6,000 ndërtesa pa ngrohje.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Kharkivit raportoi se rreth 20 persona u plagosën gjatë një sulmi ndaj qytetit në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Ai tha se një maternitet dhe një konvikt për personat e zhvendosur u dëmtuan.

Temperaturat në Ukrainë janë nën zero, dhe në një deklaratë pas sulmeve, Presidenti Volodymyr Zelensky tha se objektivi kryesor i rusëve ishte infrastruktura energjetike.

“Brenda natës, Rusia kreu një sulm masiv në rajonet tona, duke lëshuar mbi 370 dronë sulmues dhe 21 raketa të llojeve të ndryshme. Kievi dhe rajoni, si dhe rajonet e Sumy, Kharkiv dhe Chernihiv, u vunë në shënjestër,” tha Zelensky, duke bërë thirrje për më shumë sisteme mbrojtjeje ajrore pas sulmeve.

Pas ditës së parë të bisedimeve në Abu Dhabi, Rustem Umerov, i cili kryeson delegacionin ukrainas, dha pak detaje.

“Takimi u përqendrua në parametrat për t’i dhënë fund luftës së Rusisë dhe logjikën e mëtejshme të procesit të negociatave që synon avancimin drejt një paqeje dinjitoze dhe të qëndrueshme,” bëri me dije ai.

/rtsh.al/

Share This