
Rugova e Pejës mbulohet nga bora në mes të majit
Zona e Rugovës, konkretisht fshati Bogë, është mbuluar sot nga bora, një dukuri shumë e rrallë për këtë periudhë të vitit.
Xhemë Demaj, banor i Bogës së Rugovës, tha për RTK-në se kjo ngjarje është jashtëzakonisht e rrallë në këtë kohë të vitit.
Bora e rënë sot ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në pemët e zonës, të cilat gjatë dy ditëve të fundit janë prekur edhe nga bryma që i ka ngrirë ato. Kjo situatë pritet të ndikojë negativisht edhe në bagëtitë që mbahen në Rugovë.
Banorët janë të shqetësuar për pasojat që kjo situatë mund të sjellë në prodhimin bujqësor dhe jetesën e tyre në këtë periudhë të rëndësishme të pranverës, raporton rtk.