Rudi Garcia kërkon fitoren e tretë radhazi në Serie A nga Napoli
Trajneri i Napolit Rudi Garcia ka kërkuar nga skuadra që t’i fitojë ndeshjen e tretë radhazi në kampionatin italian kundër Fiorentinas.
Pas atij barazimi zhgënjyes ndaj Bolognas, “Napolitanët” u këndellen shpejtë duke marrë dy fitore radhazi në Serie A, kurse të dielën i pret një tjetër takim i vështirë.
Tekniku francez në konferencë për shtyp, zbuloi se kishte kërkuar nga lojtarët të marrin tre fitore radhazi dhe tani kanë shansin për ta kompletuar me sukses këtë “objektiv”.
“I kërkova skuadrës tre fitore radhazi dhe të dielën kemi shansin për ta arritur këtë”.
“Jemi në pozitën e tretë, pranë Fiorentinas. Duam t’i mposhtim që të qëndrojmë pranë kreut dhe ta ruajmë pozitën tonë”.
Garcia ndër të tjera tha se skuadra italiane nuk duhet ta mendojë atë humbjen nga Real Madridi dhe të fokusohet në ndeshjen e ardhshme.
“Duhet të kemi besim dhe të jemi më të fortë. Mënyra si luajtëm tregon se jemi në gjendje të përballemi me skuadrat botërore, si Real Madridi”.
“Janë disa gjëra të vogla që mund të bëhen më mirë, sidomos kur pranuam golat, por mund të na ndihmojë të përmirësohemi”.
“Ndeshja ndaj Real Madridit tregon se jemi skuadër e fortë, por duhet të fokusohemi të ndeshja jonë e të dielës dhe të jemi edhe më të mirë kur mbrohemi”.
Ndërkohë, kapiteni i Kosovës Amir Rrahmani me gjasë do të mungojë shkaku i lëndimit muskulor, gjë që ndikoi edhe të humbet ndeshjet e Kosovës në muajin tetor.