Rubio: Marrëveshja Ukrainë-Rusi duhet të ndodhë shpejt

Rubio: Marrëveshja Ukrainë-Rusi duhet të ndodhë shpejt

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë të dielën se një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës duhet të ndodhë së shpejti, duke shtuar se administrata Trump do të kalojë javën e ardhshme duke u përpjekur të përcaktojë nëse do të vazhdojë si ndërmjetës.

“Kjo duhet të ndodhë së shpejti. Ne nuk mund të vazhdojmë t’i kushtojmë kohë dhe burime kësaj përpjekjeje nëse nuk do të realizohet”, ka thënë Rubio për programin “Meet the Press” të NBC.

“Kjo javë do të jetë një javë vërtet e rëndësishme në të cilën ne duhet të vendosim nëse kjo është një përpjekje në të cilën nuk duam të vazhdojmë të përfshihemi, apo nëse është koha të fokusohemi në disa çështje të tjera”, ka shtuar ai.

Deklaratat e Rubios kanë ardhur një ditë pasi presidenti, Donald Trump dhe udhëheqësi ukrainas Volodymyr Zelensky u takuan në Romë gjatë funeralit të Papa Françeskut.

Zelensky ka thënë se takimi mund të rezultojë historik nëse jep llojin e paqes që ai shpreson dhe një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë e ka quajtur atë “shumë produktiv”.

Rubio ka thënë se Uashingtoni ka ndaluar vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për të lejuar funksionimin e diplomacisë, por ka paralajmëruar se Trumpi ka opsione për t’u marrë me çdo palë që i reziston një marrëveshjeje paqeje.

“Nëse nuk ndodh, nuk realizohet, atëherë si shtet kombëtar, ka opsione që kemi për ata që i konsiderojmë përgjegjës se nuk duan paqen. Por ne preferojmë të mos arrijmë ende në atë fazë, sepse mendojmë se kjo mbyll derën e diplomacisë”, përfundoi Rubio. /rtsh/

Share This