Rruga për play-off, Partizani zhvendoset në “Elbasan Arena”
Partizani do të luajë ndeshjen e turit të tretë me letonezët e Valmierës në “Elbasan Arena”.
Në faqen e UEFA-s rezulton se stadiumi i përcaktuar për zhvillimin e ndeshjes së kthimit të raundit të tretë të Conference League është impianti i Elbasanit dhe jo “Air Albania”, ku të kuqtë kanë zhvilluar ndeshjet e si pritëse në këtë edicion të kualifikueseve.
Demat do të luajnë me Romën në kryeqytet të shtunën, në orën 20:00, por pas kësaj ndeshjeje, fusha e stadiumit kombëtar do të marrë kohë për t’u kthyer në parametrat e duhur, pasi ka pasur shumë aktivitete sportive dhe jo vetëm që kanë ndikuar në terren.
Federata Shqiptare e Futbollit do të kujdeset që terreni të jetë sa më i përshtatshëm për sfidën e kualifikueseve të kampionatit Evropian, mes Shqipërisë dhe Polonisë që do të luhet në datën 10 shator.
Edhe në rast kualifikimi për në play-off, pritet që Partizani ndeshjen si pritëse ta luajë po në Elbasan Arena, ndonëse duke ditur rëndësinë e ndeshjes, e nëse terreni i “Air Albanias” do të jetë stabilizuar, mund të ketë ndonjë vendim të dytë që ajo sfidë të luhet në kryeqytet.