Rritet ndjeshëm vlera e kartonit të Asanit
Nuk do të duhej të investohej një “thesar” për ta marrë. Jasir Asani mbetet një futbollist me vlerë modeste të kartonit, diçka e kuptueshme për etapat në karrierë, por ngjitja e fortë ka nisur.
Sipas vlerësimit më të fundit nga agjencia e specializuar për tregun e futbollit, “Transfermarkt”, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka gati dyfishim të çmimit.
Nëse në shkurt të këtij viti kartoni i tij ishte 700 mijë euro, tani flasim për 1.2 milion euro.
Natyrisht, shumë më pak se Broja, Kumbulla, Gjimshiti, Bajrami, Asllani apo Uzuni, që luajnë në Itali, Angli e Spanjë, por kjo është normale sepse lojtari nga Shkupi aktivizohet në Korenë e Jugut.
Padyshim në këtë rritje kanë ndikuar paraqitjet e tij shumë të mira për kombëtaren shqiptare në eliminatoret e Kampionatit Evropian ku shënoi tri herë dhe ndihmoi ekipin që të kualifikohej për në finalet e vitit të ardhshëm në Gjermani. Edhe në elitën e Koresë së Jugut, Asani po luan mirë dhe ka 7 rrjeta e 3 asistime në 30 ndeshje.
Pritet që në janar të transferohet në Evropë, dhe ka zëra se mund të gjejë ekip në La Ligën e Spanjës.