Rreth 20 mijë maturantë në Kosovë do testohen më 21 qershor

Rreth 20 mijë maturantë në Kosovë do testohen më 21 qershor

Më 21 qershor, rreth 20 mijë maturantë në Kosovë do t’i nënshtrohen Provimit Shtetëror të Maturës, i cili përfshin katër lëndë: gjuhën shqipe, gjuhën angleze, matematikën dhe një lëndë zgjedhore.

Testi do të ketë 100 pyetje, nga 25 për secilën lëndë, ndërsa kalueshmëria do të jetë 40 për qind. Ministria e Arsimit apelon për korrektësi, duke paralajmëruar ndëshkime për çdo tentim kopjimi apo shkelje nga administratorët. Fillimisht nxënësit e klasave të dymbëdhjeta duhet të hapin llogaritë e tyre në e-Kosova, në të cilën paraqesin edhe Provimin Shtetëror të Maturës

Maturantët kanë thënë për RTK se tashmë i kanë përmbyllur notat në të gjitha lëndët, dhe se janë duke ripërsëritur njësi të ndryshme mësimore në lëndët të cilat do të jenë pjesë e provimit të maturës. Por disa prej tyre, e cilësojnë ngarkesë dhe sfiduese këtë periudhë.

“Unë e kam zgjedhë gjimnazin shoqëror pasi i kam dëshirë më shumë, lëndët që më pëlqejnë më shumë psikologji, sociologji, prof kanë qenë të mirë”, tha maturanti, Altin Visoka.

Kurse Tamira Randobrava, maturante, thekson se ka parë që ka psikologji dhe sociologji. “Këto tre vite kanë qenë më sfida, si vlerësimi, të mira ka shumë, më kanë pëlqye mënyra e shpjegimit”, tha ajo.

Edhe Blin Gashi, maturant, thotë se njohuritë nga shkolla fillore i kanë zgjeruar më shumë në gjimnazin shoqëror.

Mësimdhënësit tregojnë që me përgatitjen e këtij testi kanë filluar që një kohë të gjatë.

“Janë momentet më të vështira për maturantët, besoj që janë në përgatitje e sipër janë bërë vlerësime nga mësimdhënësit, po mundohemi me iu qëndrua afër, do të kenë ditë shtesë, vijë për me i ripërsëritur”, tha Hatmone Demiri, profesoreshë e gjuhës shqipe.

“Pas përfundimit do të mbajnë mësim shtesë disa mësimdhënës, ato ditë, mbi 90% ka qenë kalueshmëria në gjimnazin tonë, edhe ky vit të jetë i suksesshëm”, tha Haki Dili, zv.drejtor në Gjimnazin “Ahmet Gashi”

Në divizionin për Cilësi, Standarde dhe Vlerësim, në Ministrinë e Arsimit theksojnë se edhe këtë vit kriteri i kalueshmërisë në provimin e maturës do të jetë 40 për qind.

“Nxënësit për të marrë maturën duhet ti kenë 40 pyetje të sakta”, tha Fatmir Elezi nga MASHT

Maturantëve u bëhet thirrje që në provimin e maturës më 21 qershor të shkojnë vetëm me një laps dhe dokument identifikimi, pasi në rastet e tjera nëse mundohen të kopjojnë, do të ndëshkohen me largim nga testimi dhe humbe te afatit. Në të njëjtën kohë masa ndëshkuese, sipas ligjit, do të ketë edhe për administratorët. Provimit të maturës shtetërore 2025 do t’i nënshtrohen rreth 20 mijë maturantë. /RTK/

Share This