Rrahmani e Zyba krenarë për fanellën dardane, optimistë për fitore kundër Andorrës
Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sot seancën e dytë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kundër Andorrës, e cila zhvillohet, të enjten, në orën 20:45, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024.
Njëherësh kjo ishte stërvitja e fundit në Kosovë, pasi nesër në mëngjes Dardanët udhëtojnë drejt Andorrës.
Për dallim nga stërvitja e djeshme, e cila më shumë shërbeu si rigjenerim për lojtarët, këtë herë u punua me intensitet të plotë, teksa përzgjedhësi Gliha punoi edhe në aspekte teknike-taktike. Ndërkohë, Albion Rrahmani dhe Qendrim Zyba janë shprehur optimistë për fitoren e parë në këtë fushatë kualifikuese.
“Gjendja e ekipit është jashtëzakonisht e mirë. Shpresoj se të gjithë bashkëlojtarët të jenë në fizikun 100 përqind. Na pret një ndeshje e vështirë, por besoj që me kualitetin që kemi do të marrim rezultatin pozitiv dhe pse jo tre pikë. Është ndjenjë e veçantë ta kesh barrën kryesore te kombëtarja, të cilën e kam ëndrruar me vite që të jem pjesë e saj. Jam shumë krenar që tashmë do të kem hapësirë që ta ndihmojë kombëtaren. Besoj që në këtë ndeshje të shënoj dhe ta ndihmoj ekipin. Shpresoj që gjithçka të shkoj mirë. Unë do ta lë shpirtin në fushë për këtë fanellë, sepse është nder dhe krenari ta kesh në trup”, ka thënë Albion Rrahmani, i cili po kalon formë të shkëlqyeshme me ekipin e tij, Rapid Bukuresht dhe që pritet të ketë hapësirë për t’i treguar vlerat e tij për shkak të mungesës së Vedat Muriqit.
E një tjetër lojtar që shpreson të ketë hapësirë në ndeshjen kundër Andorrës është edhe mesfushori i Ballkanit, Qendrim Zyba, i cili është ftuar për herë të parë në kombëtare.
“Më të vërtetë është një prej ëndrrave që kam pasur që nga fëmijëria dhe më është realizuar. Çdo moment që i duhemi shtetit tonë jemi në gjendje për të dhënë më të mirën tonë. Falë Zotit jam me një formë mjaft të mirë dhe shpresoj që atë që di të bëj më së miri ta ndihmoj ekipin nëse më jepet mundësia. Djemtë janë të shkëlqyeshëm. Ata na kanë pritur shumë mirë neve që jemi më të rinj dhe i falënderoj shumë sepse na kanë afruar shumë shpejt në grup. Andorra? Çdo kundërshtar është i vështirë, por ne do të japim maksimumin dhe do t’i bëjmë detyrat që na cakton trajneri. Patjetër duhet të shkojmë për fitore”, ka thënë Zyba.