Ronaldo: Thonë se kam mbaruar dhe jam në Arabi për para, por dua të fitoj
Cristiano Ronaldo publikoi një video në kanalin e tij në YouTube me Mr Beast, YouTuber me më shumë ndjekës në platformë. Ylli portugez i Al-Nassr nuk e përjashtoi mundësinë që të luajë me djalin e tij në të ardhmen: “Ai është 14 vjeç, do të shohim si i ka këmbët… Ai tashmë ka presionin e të qenit djali im. Ta lëmë të bëjë gabimet e tij, por shpresojmë për të ardhmen”.
“Shpresoj të bëhet profesionist, por nëse nuk bëhet dhe bën një punë tjetër, do ta mbështes gjithmonë. Ne nuk mund të bëjmë presion mbi fëmijët tanë sepse jemi të famshëm”.
Në Netflix u publikua edhe një dokumentar mbi Saudi Pro League, në të cilin foli edhe CR7: “Kam ardhur për të përmirësuar kampionatin, për të fituar. Dua të lë një trashëgimi. Ata thonë se kam mbaruar, se jam këtu vetëm për para … Ata ende nuk e besojnë, por unë jam këtu për të fituar”.
Pas dygolëshit ndaj Polonisë, Ronaldo komentoi kështu ndjekjen e 1000 golave: “Ditë pas dite. Më gëzon një gol pas një tjetri. Më pëlqen momenti. Sinqerisht, nuk më shqetëson aspak të arrij 1000 gola. Çfarë objektivash kam ende në futboll? Ka të bëjë me argëtimin. Planifikimi i daljes në pension nga futbolli… Do të ndodhë brenda një viti, dy vjetësh, çfarëdo qoftë. Sinqerisht them se nuk është shaka, është të shijosh momentin, të ndihem sikur po e shijoj futbollin”.