Ronaldo, midis të djeshmes dhe të sotmes

Ronaldo, midis të djeshmes dhe të sotmes

Shkruan: Musli Krasniqi

Përtej lajmit se Portugalia fitoi finalen dramatike të Ligës së Kombeve në futboll, duke mundur Spanjën, kryelajmi ishte bartësi kryesor i trofeut të fitores: fubollisti legjendar Cristiano Ronaldo.

Edhe pse në supet e tij bart një histori mbi 20-vjeçare futbolli, plot trofe ekipore e personale, Ronaldo, tani 40 vjeç, vazhdon të mbetet figura emblematike sa herë që luan dhe për më tepër fiton kombëtarja e tij.

Janë fare të pakët futbollistët që në moshën e tij vazhdojnë të jenë aktivë në futbollin profesionist e aq më tepër të luajnë ndeshje të plota të niveleve të larta.

Federata portugeze e futbollit, trajneri i kombëtares dhe vet Ronaldo jo rrallë herë janë bërë e bëhen objekt të kritikave lidhur me angazhimin e tij permanent dhe të plotë në ndeshjet e kombëtares së Portugalisë në futboll.

Kritikët vërejtjet e tyre i bazojnë në hapësirën që ky lojtar vazhdon të zë në fushë, me theks të veçantë në repartin sulmues, kur duket që mosha e ka bërë të veten, duke zvogëluar cilësitë dhe venitur shkathtësitë që dikur ai posedonte. Në këtë mënyrë, thonë kritikët, Portugalia po sakrifikon talentët e rinj, duke i lënë në margjina dhe duke i dhënë hapësirë të pakufizuar një futobllisti që, sipas tyre, tashmë i përket të kaluarës.

Por pse Portugalia vazhdon t’i japë hapësirë kaq të madhe Cristiano Ronaldos?

Ronaldo dhe Messi kanë shkruar historinë prej dy dekadash të futbollit botëror dhe është e tepërt të rikujtojmë arritjet e tyre përgjatë kësaj periudhe.

Për rrjedhojë ata vazhdojnë të mbesin idhuj të miliona tifozëve në tërë botën dhe figura emblematike përfaqësuese të kombeve të tyre.

Portugalia, një shtet me 10 milionë banorë dhe sipërfaqe prej rreth 35 mijë km2, tashmë ka emblemën e vet me të cilën identifikohet në botë.

Pesha dhe ndikimi i tij tashmë ka tejkaluar nivelin e sportit, duke lënë gjurmë edhe në procese të ndryshme shoqërore në nivel global, siç mund të jetë impakti shoqëror e politik në jetën arabe, prej dy vjetësh të angazhimit të tij atje.

Prandaj, Ronaldo është i rëndësishëm për Portugalinë për cilësitë e tij prej futbollisti që kishte deri dje dhe është po kaq i rëndësishëm për peshën që emri dhe personaliteti i tij bartin sot, si imazh kombëtar, por edhe si motiv e model për lojtarët e rinj.

Sakrifica që kombëtarja portugeze bën duke lënë në bankinë disa nga talentët e rinj dhe duke i dhënë Ronaldos gjithë hapësirën dhe kohën që ai dëshiron në fushë, shpaguhet shumëfish me benifitet që ajo korrë duke mbajtur në skenë një emër tashmë të skalitur në historinë e futbollit botëror.

Edhe pse, realisht ai ende vazhdon të jetë rezultativ dhe përcaktues në ndeshje të rëndësishme, siç ishte kjo finale!

Ashtu siç Portugalia vepron me Ronaldon dhe Kroacia me Modriçin, do të duhej vepruar edhe kombet e shtetet e tjera me figurat e tyre emblematike, në çfarëdo lëmi.

Populli shqiptar ka nxjerrë dhe vazhdon të nxjerrë nga gjiri i tij talente në disiplina të ndryshme sportive, por edhe në art, kulturë, letërsi, arsim, mjekësi e veprimtari të tjera shoqërore e kombëtare.

Personalitet e tilla i nevojiten kombit për kohën sa janë aktivë por edhe për trashëgiminë dhe vlerat që ata lënë pas.

Share This