Roma fiton thellë ndaj Sheriffit, por mbetet e dyta, “Aspirinat” ecuri perfekte
Nuk ndodh mrekullia për Romën. Pavarësisht fitores 3-0 ndaj Sheriff Tiraspolit, verdhekuqtë e mbyllën në vendin e dytë fazën e grupeve të Europa League-s, pasi Slavia e Pragës e ruajti vendin e parë në Grupin G falë fitores 4-0 ndaj Servette.
Roma e zgjidh brenda pjesës së parë takimin me Sherifin e Tiraspolit në stadiumin “Olimpico”. Verdhekuqtë e zhbllokuan që në minutën e 11-të ndeshjen me Romelu Lukakun, që nuk e pati të vështirë të shtynte drejt rrjetës topin e pasuar nga Zalewski.
Në minutën e 32-të dyfishoi shifrat Belotti, që ndoqi aksionin për ta prekur topin me kokë thuajse mbi vijën fatale. Golin e tretë e shënoi Pisilli në shtesë.
Në Grupin G të Europa League-s duket se gjithçka është mbyllur sa i përket renditjes, pasi Slavia e Pragës i shënoi katër herë skuadrës zvicerane Servette brenda 45 minutave të para.
Në Grupin E, Liverpooli, që e kishte siguruar vendin e parë, u mposht 2-1 në fushën e Royale Union, kurse Toulouse fitoi 1-2 në fushën e LASK-ut.