Rohde: S’ka përparim në dialogun Kosovë-Serbi, progresi garanci për anëtarësim në BE
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka vlerësuar se në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) nuk ka përparim aktualisht, ndonëse pritjet e BE-së janë që të ketë vullnet politik për të bërë progres në këtë drejtim.
Ai ka thënë se përparimi në dialog është i nevojshëm duke pasur parasysh faktin që qëllimi përfundimtar i këtij procesi është anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë në BE.
“Unë e di që ka zgjidhje, por gjithmonë ka zgjidhje diku. Për qytetarët e rajonit, e veçanërisht për ata nga Kosova apo Serbia, është e rëndësishme që të ketë progres, të ecim përpara”.
“Të gjithë e dinë se kjo mund të arrihet vetëm nëse kemi normalizim të marrëdhënieve. Pa normalizim nuk ka anëtarësim në BE”, ka thënë Rohde.
Rohde mes tjerash pas debatit për 10-vjetorin e Samitit të Berlinit, ka thënë se qëllimi kryesor i Procesit të Berlinit është tregu i përbashkët rajonal, ku nga ky proces kanë përfituar vendet e Ballkanit Perëndimor, raporton “EO”.