RLIOF: Të hënën mbrëmja dedikuar muzikës shqipe në zemër të Prishtinës
Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operas – Rame Lahaj, Prishtina do të mirëpresë një mbrëmje të jashtëzakonshme dedikuar muzikës shqipe. Kjo mbrëmje vjen nën emrin e të madhes Nexhmije Pagarusha dhe do të mbahet më 22 korrik në sheshin “Skënderbeu”, duke sjellë një përvojë unike nën qiellin e hapur në zemër të kryeqytetit.
Në këtë ngjarje të veçantë, do të performojnë artistë të shquar si mezzo-sopranoja nga Egjipti, Farrah El Dibany, sopranot Adelina Thaqi dhe Kaltrina Myftari, dhe baritoni Artur Vera. Për më shumë, mbrëmja do të jetë e shoqëruar nga tingujt e Keli Band, duke e bërë këtë natë një përvojë magjike për të gjithë të pranishmit, njofton RLIOF, raporton rtk.
Hyrja është e falas për të gjithë. Ky event që nis në orën 20:30 ofron mundësinë për të shijuar muzikën klasike dhe performancat e larta në një ambient të hapur dhe të bukur në kryeqytet. Do theksuar se sponsor medial i këtij eventi është Radiotelevizioni i Kosovës.