RLIOF sonte sjell ‘Opera Night’ me dyshen italiane
Në kuadër të Rame Lahaj International Opera Festival (RLIOF), sonte organizohet mbrëmja “Opera Night” me protagonistë tenorin Riccardo Della Sciucca dhe sopranon Sara Rossini, të cilët do të interpretojnë në skenën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare me fillim nga ora 20:00.
Dyshja italiane, gjatë interpretimit të veprave të G. Puccinit, do të shoqërohet nga pianistja Ardita Bufaj.
Sipas njoftimit të festivalit, Riccardo Della Sciucca u bë i njohur pasi mori çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar të Operës “Adriana Maliponte” dhe “Angelo Loforese” në Milano, pastaj zhvilloi talentin në ‘Accademia di Perfezionamento per Cantanti Lirici’ në Teatrin ‘La Scala’, ku debutoi në rolin e Nadir në ‘Ali Baba and Forty Thieves’. Në vitin 2020 debutoi në ‘Teatro del Maggio Musicale Fiorentino’ në rolin e Cassios në shfaqjen operistike të Verdit ‘Otello’ në dirigjimin e maestro Zubin Mehta, shfaqje e cila u transmetua drejtpërdrejt në RAI5, raporton rtk.
Më tutje në njoftim thuhet se Riccardo ka interpretuar në skena të shumta ndërkombëtare, duke portretizuar Rodolfon në operën ‘La Bohème’ të Puccinit në Qendrën për Arte Performuese ‘Hyogo’ në Japoni si dhe rolin e Arturos në shfaqjen operistike ‘Lucia di Lammermoor’ të Donizettit në Festivalin e Salzburgut më 2022.
Ndërsa Sara Rossini ka diplomuar në ‘Conservatorio G. Verdi’ në Milano, duke u zhvilluar pastaj në akademinë e ‘Teatro alla Scala’. Karriera e saj përfshin çmime në konkurse prestigjioze si konkursi ndërkombëtar i Operës ‘Umberto Giordano’, konkursi ndërkombëtar ‘Spiros Argiris’ dhe në konkursin AsLiCo. Ka debutuar në role të rëndësishme në shtëpi operistike në gjithë Evropën dhe përtej, duke përfshirë Mimi në ‘La Bohème’, Lauretta në ‘Gianni Schicchi’ dhe Sophie në ‘Werther’.
“Krahas arritjeve operistike, Sara Rossini dallohet edhe si soliste në vepra simfonike dhe koncerte vokale. Si soliste ka interpretuar veprën ‘Petite Messe Solennelle’ të G. Rossinit në ‘Teatro alla Scala’ etj”, thuhet në njoftim.