
Rizvanolli: Që nga sot, KEK furnizon të gjitha ndërmarrjet në treg të lirë
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se nga data 1 qershor 2025, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF), ka filluar furnizimin me energji për të gjitha ndërmarrjet që kanë dalë në tregun e lirë, por nuk kanë arritur të nënshkruajnë kontrata furnizimi.
“Që nga sot, KEK, në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF), furnizon të gjitha ndërmarrjet që kanë dalur në treg të lirë e nuk kanë arritur të nënshkruajnë kontrata furnizimi. KEK njofton se energjia për këto ndërmarrje për ditën e sotme, pra 1 qershor, është siguruar me çmim mesatar prej 64.55 €/MWh përmes Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX). U bëjmë thirrje ndërmarrjeve që në afat sa më të shkurtër dhe brenda atatit ligjor të nënshkruajnë marrëveshjen e furnizimit me KEK si FMF, ose të gjejnë furnizues alternativ. KEK është në dispozicion për informata rreth furnizimit përmes mundësisë FMF. Nga ZRrE presim të monitorojë tregun me përpikmëri dhe të ndihmojë të gjitha palët për një tranzicion sa më të lehtë, nërsa Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar të ndihmojë ndërmarrjet që tashmë kanë dalur në treg për të bërë zgjidhjet më të favorshme për biznesin e tyre. Sa më shpejt që ndërmarrjet informohen saktë, aq më i lehtë e më i shpejtë do të jetë tranzicioni për to”, ka shkruar ajo në ‘Facebook, raporton rtk.