
Rinumërohen 36 nga 50 vendvotime
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka përfunduar rinumërimi i 33 vendvotimeve nga Komuna e Vushtrrisë dhe 3 nga komunat e tjera.
Këto të dhëna janë sipas përditësimit të fundit nga QNR deri në orën 16:00.
“Sipas të dhënave, deri të martën në orën 16:00, janë rinumëruar 33 nga 35 vendvotimet nga komuna e Vushtrrisë, ndërkaq nga 15 vendvotimet e komunave tjera janë rinumëruar 3 sosh. Në mbledhjen e mbajtur më 10 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori dy vendime për rinumërimin e 50 vendvotimve”, njofton KQZ.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar rinumërimi i vendvotimeve sipas vendimit të KQZ-së i datës 10 mars 2025.
Fillimisht, KQZ mori vendim për rinumërimin e 15 vendvotimeve nga komuna të ndryshme të Kosovës, në të cilat është zhvilluar procesi i votimit më 9 shkurt 2025. Sipas rekomandimit të prezantuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, gjatë pranimit të rezultateve në këtë qendër nga Qendrat Komunale të Numërimit është hasur në mospërputhje të numrit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve me numrin e fletëvotimeve brenda në kutitë e votimit të këtyre vendvotimeve.
Në vazhdim, KQZ mori vendim për rinumërimin e plotë të fletëvotimeve për subjektet politike dhe kandidatët nga 35 vendvotime për shkak se ekzistojnë mospërputhje në rezultate. Këto vendvotime i takojnë komunës së Vushtrrisë në të cilat është votuar më 9 shkurt 2025, raporton rtk.