
Rinisin punimet në sheshin “Xhorxh Bush” përkundër ndalesës nga ITK
Komuna e Prishtinës ka nisur sërish punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, ndonëse ato ishin ndërprerë nga Inspektorati I Trashëgimisë Kulturore dy herë.
Këto punime të rinisura ka dalë t’i shoh nga afër vetë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se janë brenda kornizave ligjore dhe punimet do të vazhdojnë e nuk do të ndalen.
Inspektorati i Trashigimisë Kulturore më 12 mars të këtij viti kishte ndaluar punimet në këtë shesh, vetëm dy ditë pasi kishin nisur nga Komuna e Prishtinës, projekt ky që kap vlerën prej 18 milionë e 400 mijë eurove.
Në listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme e që preken nga ndërtimi i këtij sheshi, janë hoteli “Grand Hotel”, ndërtesa e ish-Radio Prishtinës, Rektorati i Universitetit dhe Biblioteka Kombëtare. Ndërkaq, Ligji për Trashëgiminë Kulturore përcakton se për çdo intervenim në pronat e trashëgimisë kulturore apo afër tyre nevojitet pëlqim ose leje nga institucioni kompetent.
Ndërkohë, sipas autoriteteve lokale ky projekt përfshin hapësira të gjelbëruara, minisheshe, zona rekreative dhe sportive, si dhe hapësira argëtuese për fëmijët.
Sipas planifikimeve fillestare që i kishte prezantuar komuna, punimet për ndërtimin e këtij sheshi parashihen të zgjasin 240 ditë pune, raporton rtk.