
Rikthehet Superliga e hendbollit, ‘nxehtë’ në ‘Mizahir Isma’
Superliga e Kosovës në hendboll në konkurrencën e meshkujve, rikthehet të shtunën me ndeshjet e javës së 25-të.
Vëmendja do të jetë në palestrën “Mizahir Isma” ku përballen Rahoveci e Kastrioti, derbi që nis nga ora 20:00.
Rahoveci ka fituar 24 ndeshjet e deritashme dhe në ‘Play-Off’ do të startojë nga pozita e parë. Por “vreshtarët” janë të përkushtuar që ta përfundojnë stinorin e rregullt pa humbje të pësuar. Kastrioti është i dyti me 38 pikë, ndërsa udhëton për të dëshmuar që ka pretendime të mëdha në ‘Play-Off’ dhe turneun final të Kupës.
Ndërkaq, nga ora 16:00 do të luhet ndeshja mes Prishtinës e Vushtrrisë. Prishtina është e katërta me 23 pikë, ndërsa Vushtrria renditet e pesta me 16 pikë, kurse, prej orës 19:00 është takimi Besa Famgas – Trepça. Skuadra pejane është favorite e madhe. Renditet e treta me 36 pikë, derisa Trepça është e gjashta me 12 pikë.