Rikthehet Superliga e hendbollit, “nxehtë” në Ferizaj dhe Prishtinë

Rikthehet Superliga e hendbollit, “nxehtë” në Ferizaj dhe Prishtinë

Në fundjavë zhvillohen ndeshjet e xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Është kjo xhiroja e fundit për këtë vit e kampionatit të Kosovës.

Kjo fundjave nis me ndeshje derbi dhe që pritet të jetë e fortë dhe shumë interesante, ku do të përballen Kastrioti dhe Besa Famgas, sfidë kjo që luhet në Ferizaj dhe që starton në orën 19:00.

Besa është kampione në fuqi dhe skuadër dominante e dekadës së fundit. Por ka pasur vështirësi në udhëtimet e fundit në Ferizaj, ndërsa këtë edicion tashmë i ka tri humbje. Humbjen e katërt synon t’ia shkaktojë Kastrioti, që ka synime gjithnjë e më të mëdha këtë edicion. Natyrisht, pejanët udhëtojnë për pikë të reja dhe për të vazhduar garën për pozitën e parë. Vendasit shpresojnë të ndalin pikët për vete. Besa Famgas është e dyta me 20 pikë. Kastrioti është i katërti me 16 pikë.

Tri ndeshjet tjera të kësaj xhiro luheh të dielen. Ndeshja më e fortë pritet të jetë ajo mes Prishtinës dhe Trepçës, që zhvillohet nga ora 17:00 në Bardhosh. Trepça është e treta me 18 pikë, derisa Prishtina është e pesta me 14 pikë.

Lideri i klasifikimit, Rahoveci, llogarit në dy pikë të reja në duel me Deçanin, ndeshje kjo që fillon në orën 18:00. Në të njëjtën kohë luhet edhe ballafaqimi mes Vushtrrisë dhe Vëllaznimit.

Share This