Rikthehet Superliga e hendbollit, derbi madh luhet në “Bill Clinton”
Superliga e Kosovës në hendboll, rikthehet të premten dhe të shtunën me ndeshjet e xhiros së 17-të.
Kjo xhiro pritet të sjellë disa duele interesante. Ndeshja e parë luhet të premten prej orës 19:00, ku përballën Deçani dhe Trepça. Mitrovicasit llogaritën favorit në këtë duel.
Ndërkohë e gjithë vëmendja do të jetë në Ferizaj, ku të shtunën prej orës 19:00 zhvillohet derbi i madh mes Kastriotit dhe Rahovecit. Bëhet fjalë për dy prej skuadrave që synojnë trofetë e këtij edicioni garues.
Rahoveci është i pandalshëm këtë edicion. Ka fituar të gjitha 16 ndeshjet e deritashme dhe udhëheq në tabelë me 32 pikë. Por “vreshtarët” pritet të sfidohen seriozisht në palestrën “Bill Clinton” të shtunën mbrëma.
Kastrioti ka bërë përforcime të shumta në afatin kalimtar të janarit dhe ka shpallur kandidaturë për titull kampioni. Ndeshja pritet të jetë e fortë dhe dramatike deri në fund.
Të shtunën luhen edhe dy ndeshje tjera, ku përballen Vushtrria-Prishtina (15:00) dhe Vëllaznimi-Besa Famgas (19:00).