Rikthehen Javët Kulturore Ndërkombëtare

Rikthehen Javët Kulturore Ndërkombëtare

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njoftoi përmes rrjeteve sociale rikthimin e Javëve Kulturore Ndërkombëtare majin e këtij viti.

“Pas një udhëtimi të paharrueshëm me edicionin e tretë, ku 21 shtete, 252 aktivitete dhe 364 artistë sollën energjinë, artin dhe shpirtin e tyre në Shqipëri, Javët Kulturore Ndërkombëtare 2025 rikthehen për sezonin e katërt”, shkroi ministri Gonxhja.

Ministri nuk i ka zbuluar surprizat e këtij edicioni por ftoi artdashësit të ndjekin këto aktivitete të cilat do të jenë si një festë e kulturës, artit dhe traditave nga e gjithë bota, qe do të mbushë skenat tona me emocione dhe kreativitet.

“Javët Kulturore Ndërkombëtare” ose JKN, është një platformë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që sjell një seri veprimtarish, të cilat kanë si qëllim njohjen dhe përqafimin nga publiku të kulturave të ndryshme botërore.

Çdo javë i dedikohet një kulture të caktuar botërore që afrohet në sofrën mikpritëse shqiptare nëpërmjet aktiviteteve që përcjellin më së miri pasurinë e këtyre kulturave përmes filmave, melodive, arkitekturës, kostumeve, kulinarisë dhe trashëgimisë. JKN është një paradë kulturore që shtrihet prej majit e deri në nëntor. /atsh/

Share This