
Rifillojnë bisedimet për armëpushimin në Gaza, mes një ofensive të përgjakshme izraelite
Izraeli dhe Hamasi kanë rifilluar bisedimet për një armëpushim këtë të shtunë në Doha të Katarit, mes një vale të re dhune në Rripin e Gazës.
Palët kanë konfirmuar zhvillimin e një raundi të ri negociatash indirekte, pavarësisht ofensivës së madhe ushtarake që Izraeli nisi vetëm 72 orë më parë.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, të paktën 146 persona kanë humbur jetën nga sulmet ajrore dhe tokësore izraelite, ndërsa qindra të tjerë po trajtohen në spitale të mbingarkuara. Situata humanitare në Gaza vijon të rëndohet, pasi furnizimet me ndihma janë ndërprerë që nga fillimi i marsit.
Taher Al-Nono, këshilltari për median i Hamasit, tha për agjencinë Reuters se negociatat po zhvillohen pa parakushte dhe përfshijnë kërkesa kyçe si: përfundimi i luftës, shkëmbimi i të burgosurve, tërheqja e ushtrisë izraelite nga Gaza dhe lehtësimi i aksesit për ndihma humanitare.
Nga ana tjetër, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, konfirmoi se bisedimet në Doha kanë për qëllim arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve izraelite që mbahen nga Hamasi.
Megjithatë, zhvillimet në terren tregojnë një tjetër realitet. Ushtria izraelite ka nisur një fazë të re të ofensivës, të koduar si “Operacioni Karrocat e Gideonit”, që pritet të shtrihet në territore të reja brenda Gazës. Ky është raundi më i përgjakshëm i luftimeve që nga dështimi i bisedimeve për armëpushim në mars.
Ndërkohë, mbi 2.3 milionë banorë të Gazës po përballen me mungesë të theksuar të ushqimit, ujit, energjisë dhe trajtimit mjekësor.