
Reuters: Gjenden të paktën 100 mijë trupa të viktimave të regjimit të Asadit
Të paktën 100 mijë trupa të viktimave të regjimit të ish-presidentit sirian Bashar al-Assad janë gjetur në një varrezë masive jashtë Damaskut, ka thënë drejtori i Task Forcës Siriane të Emergjencave (SETF), Muaz Mustafa.
Ai i ka thënë “Reuters”-it se në Al Qutaifah, 40 kilometra në veri të Damaskut, ndodhet një nga pesë varrezat masive.
“Njëqind mijë është vlerësimi më konservativ i numrit të trupave të varrosur në vend”, ka thënë Mustafa.
Ai beson se ka më shumë se pesë varreza masive dhe se në mesin e viktimave kishte shtetas amerikanë dhe britanikë, si dhe të huaj të tjerë.
Mustafa ka thënë se dega e inteligjencës e forcave ajrore siriane ishte “përgjegjëse për transferimin e trupave nga spitalet ushtarake, ku trupat mblidheshin pasi (njerëzit) ishin torturuar deri në vdekje, dhe më pas ata do të dërgoheshin në një varr masiv”.
Siç ka vënë në dukje ai, trupat janë transportuar në varre nga zyra komunale e funeralit në Damask, stafi i së cilës ka ndihmuar në shkarkimin e viktimave nga frigoriferët dhe rimorkiot e traktorëve.