Reuten: BE të jetë e qartë me Serbinë, në Kosovë të mos ketë destabilizim

Reuten: BE të jetë e qartë me Serbinë, në Kosovë të mos ketë destabilizim

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka theksuar se e shqetësojnë kontaktet shumë të shpeshta të autoriteteve serbe me autoritetet ruse. Ai ka theksuar se anëtarët e qeverisë serbe shkojnë shpesh në Moskë, kjo është shumë shqetësuese.

Eurpodeputeti Reuten ka theksuar se për shkak të sjelljes së qeverisë serbe ka pasiguri në rajon.

“Për shkak të sjelljes së qeverisë serbe në rajon, sepse ngjall pasiguri në vendet e rajonit, si në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë. Kjo kombinohet me interesin e Rusisë për ta mbajtur rajonin në jostabilitet dhe për ta mbajtur atë larg nga Bashkimi Evropian. Duhet të jemi të kujdesshëm për këtë”, ka paralajmëruar eurodeputeti.

Reuten për mediat në Serbi, ka thënë se duhet ‘të jemi më të vendosur ndaj qeverisë serbe edhe kur bëhet fjalë për kërkesat që situata në Kosovë të mos destabilizohet më tej’.

Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të jetë më i ashpër ndaj Serbisë kur bëhet fjalë për këto gjëra.

Duke komentuar Serbinë si vend kandidat për anëtarësim në BE, ai ka thënë se Unioni nuk po vepron si duhet dhe se është për anëtarësimin e Beogradit në Bashkimin Evropian.

“Një Serbi demokratike që është anëtare do të ishte një lajm i shkëlqyer për të gjithë Evropën, por edhe për vetë Serbinë. Megjithatë, ne jemi përballë një qeverie problematike. Unë nuk jam kundër Serbisë apo popullit serb, por ne kemi problem me qeverinë. Kjo kërkon një strategji të qartë nga BE-ja që do të bazohet në vlerat tona, si demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne duhet t’u themi qartë autoriteteve serbe se çfarë presim prej tyre dhe çfarë jo. Ne nuk duam që ata të vijnë në Bruksel dhe të thonë se qëllimi i Serbisë është të bëhet anëtare dhe pastaj kur të kthehen në Beograd të mos thonë fjalë kaq të bukura për rrugën evropiane. Ndonjëherë ata madje vendosin të hipin në një aeroplan dhe të shkojnë në Moskë në vend që të marrin pjesë në bisedime në nivel evropian”, ka theksuar ai.

Share This