Reshjet e rrëmbyeshme të shiut përfshijnë Evropën Qendrore dhe Lindore, duke vrarë katër persona
Rumania ka ngritur kampe zhvendosjeje dhe ka nisur operacionet e shpëtimit pasi përmbytjet vranë të paktën katër persona dhe shkatërruan mijëra shtëpi në lindje të vendit.
Varkat dhe aeroplanët ushtarakë po përdoren për të lëvizur njerëzit në vende të sigurta dhe kryeministri Marcel Ciolacu ka thënë se prioriteti tani është parandalimi i humbjeve të mëtejshme të jetëve.
Ditët e fundit shirat e rrëmbyeshëm kanë përfshirë Evropën Qendrore dhe Lindore, duke fryrë lumenj dhe duke shkaktuar paralajmërime për përmbytje në Republikën Çeke, Poloni, Austri, Sllovaki dhe Hungari.
Në kryeqytetin çek, Pragë janë ngritur barriera nga përmbytjet ndërsa në disa pjesë të Polonisë banorët janë evakuuar. Në Republikën Çeke , alarmi më i lartë për përmbytjet ishte shpallur në 38 vende të ndryshme.
Në Poloni , ministri i brendshëm Tomasz Siemoniak tha se kishte një “situatë të vështirë” në zonat përreth katër lumenjve.
Në Austri , për të cilën zyrtarët thonë se përjetoi gushtin më të nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve, shumë rajone presin 10-20 cm shi brenda pak ditësh, në pjesë të veriut parashikohet mbi 20 cm.
Reshjet ekstreme po bëhen më të dendura në pjesën më të madhe të botës, për shkak të ndryshimeve klimatike. Një atmosferë më e ngrohtë mund të mbajë më shumë lagështi, gjë që mund të çojë në reshje më të mëdha shiu. /rtsh/