
Rëndohet edhe më shumë jeta në Kosovë, çmimet e konsumit 2.9% më të shtrenjta
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin mars 2025. Indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,9% në muajin mars 2025, krahasuar me muajin mars 2024.
Çmimet e konsumit në Kosovë kanë shënuar rritje në muajin mars 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur mesatarisht për 2.9% krahasuar me marsin e vitit 2024.
Kjo rritje vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga ngritja e çmimeve në këto grupe të produkteve dhe shërbimeve: Kafe, çaj dhe kakao (17,1%), perime (8,7%), mish (8,3%), shërbime për pajisje personale të transportit (7,6%), qumësht, djathë dhe vezë (7,1%), pemë (6,7%), pije alkoolike (6,3%), gazeta, libra dhe materiale për zyra (6,2%), shërbime hoteliere (5,8%), ujë mineral dhe pije joalkoolike (5,4%), këpucë (5,4%) dhe shërbime financiare dhe ambulantore (të dyja 5,2%).
Ndërkohë, rënie e çmimeve është vërejtur te lëndët djegëse të ngurta (si druri dhe peletët) -6,7%, karburantet dhe lubrifikantët për automjete: -5,0%
“Këto zbritje kanë ndikuar në ulje të IHÇK-së për rreth 0,6%”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Po ashtu, çmimet e konsumit janë rritur edhe krahasuar me muajin paraprak, shkurtin 2025. Sipas statistikave, inflacioni mujor në mars ishte 0,8%.
Rritja mujore e çmimeve është ndikuar nga çmimet më të larta të perimeve (5,3%), pemëve (4,5%), shërbimeve ambulantore (3,3%), veglave dhe pajisjeve për shtëpi e kopsht (2,7%), këpucëve (2,6%), shërbimeve hoteliere (2,5%), kafesë, çajit dhe kakaos (2,4%) dhe mishit (2,3%)./Demokracia.com/.