
Rekrutët e Njësive Speciale Operative demonstrojnë aftësitë profesionale
Policia e Kosovës njofton se në ambientet e Kampit “Vrella”, rekrutët e rinj që janë pjesë e procesit të Trajnimit Bazik për Drejtorinë e Njësive Speciale Operative (DNJSO) zhvilluan një demonstrim profesional të aftësive, teknikave dhe taktikave për menaxhimin e turmave të dhunshme.
Demonstrimi u mbikëqyr nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, Drejtori i Departamentit të Njësive Speciale, kolonel Mentor Shabani, si dhe menaxhmenti i lartë i DINJSO. Pas demonstrimit, Drejtori Hoxha iu drejtua rekrutëve me një fjalim motivues, duke i përgëzuar për angazhimin dhe disiplinën e treguar gjatë këtij segmenti të trajnimit.
Ai falënderoi gjithashtu instruktorët për përkushtimin dhe punën e tyre të palodhur në përcjelljen e njohurive dhe përvojave tek rekrutët, duke theksuar rolin kyç të tyre në ngritjen e kapaciteteve të Njësive Speciale.
Trajnimi Bazik i rekrutëve për DNJSO vazhdon dhe përfshin module të ndryshme taktike, fizike, psikologjike dhe operacionale, në përputhje me standardet më të larta profesionale dhe misionin e njësive speciale brenda Policisë së Kosovës.