“Rebeli”, i Ikonomit, Spiropali: Një libër sa qiellor aq edhe demoniak

“Rebeli”, i Ikonomit, Spiropali: Një libër sa qiellor aq edhe demoniak

Studiuesi Ilir Ikonomi publikoi së fundmi vëllimin e dytë të biografisë së Fan Nolit, që përshkruan fillimin e viteve 1920, nën titullin “Rebeli”.

100 vite pas trazirave të bujshme të vitit 1924, Ikonomi synon të sjellë personazhet e librit thjesht si njerëz që ka prodhuar koha, pa heronj apo tradhtarë, në një përpjekje për të treguar të vërtetën, bazuar në faktet e siguruara nga arkivi i gjerë brenda dhe jashtë vendit.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali e cilësoi veprën “Rebeli” të Ikonomit, një libër sa qiellor aq edhe demoniak.

“Të arrish të thyesh klishetë e soc-historisë, pas qindra, ndoshta mijëra, ditëve e netëve kërrusur mbi libra nëpër biblioteka dhe arkiva, them se Ilir Ikonomi është të dyja, edhe prift edhe rebel”, u shpreh Spiropali.

Postimi i plotë i Spiropalit:

REBELI

Fort rrallë ndodh të rebelohet një prift, e të bëhet rebel.

Edhe më rrallë të rebelohet një rebel dhe të bëhet prift.

Shqiptaria, sa kryeneçe edhe e paparashikueshme, krahas çudirave dhe çmendurive, kur e ka parë pisk, e ka bërë ndonjë thagmë.

Papë të Romës dhe të Bizantit, luftëtarë me nam botëror, shtetarë gjenialë, shenjtorë, shkrimtarë me famë planetare, janë disa shembuj sa për t’ua kujtuar sot disa të përgjumurve, se ka vërtet nëpër botë shqiptarë që bëjnë punë të thjeshta e të rënda, ama edhe Mbretërit, Papët, Vezirët, Gjenialët, nuk na kanë munguar.

Një nga këto shkrepëtima, apo zjarre, apo ndezje të genit shqiptar, është padyshim i madhi, i paharruari, i pavdekshmi, Fan S. Noli.

Prift, atdhetar, politikan, shtetar, historian, jetëshkrues, poet, shqipërues, Noli i madh bëri atë që s’ka mundur ta bëjë kurrkush deri më sot: Pa i mbetur hatri as Zotit, as Djallit, pajtoi brenda vetes, Priftin me Rebelin.

Jetën e Priftit Rebel, e shkruajti Ilir Ikonomi.

Po Ilir Ikonomi, a është Prift apo Rebel?

Të arrish të thyesh klishetë e soc-historisë, pas qindra, ndoshta mijëra, ditëve e netëve kërrusur mbi libra nëpër biblioteka dhe arkiva, them se Ilir Ikonomi është të dyja, edhe Prift edhe Rebel.

Aq i vlefshëm është “Rebeli” i Ikonomit sa me ta mbaruar leximin, s’di kujt t’ia ndreqësh e kujt t’ia prishësh, Nolit që bëri gjithato punë për Shqipërinë, apo Ikonomit që e ngriti Nolin nga varri bashkë me punët, ia shkundi baltrat, dhe na dha të lexonim një libër sa qiellor aq edhe demoniak.

Share This